Drejtori i drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka njoftuar se fushata e korrje – shirjeve në Komunën e Gjilanit ka përfunduar me sukses, ndërsa nevojat vetanake për banorët e komunës plotësohen mbi 60 për qind, nga mbi 3 mijë hektarë të mbjellë me drithëra të bardha.
Ramadani i cili ishte edhe kryesues i komisionit për korrje – shirje, ka thënë se fermerët e Gjilanit kishin të mbjellë mbi 2800 ha me grurë, 90 ha me elb dhe 130 ha me tërshërë, ndërsa ishin të angazhuar 69 autokombajna në arat e Gjilanit.
“Prej mbi 2 800 hektarëve të mbjella me grurë janë siguruar rendimente prej 11 631 ton dhe plotësohen nevojat vetanake për banorët e komunës mbi 60 %. Varietetet dominuese tek bujqit tanë janë “Evropa”, “Renesanca”, “Pobeda” etj. si varietete të Novi Sadit, ndërsa ka filluar të depërtojnë suksesshëm edhe varietetet Kroate, Hungareze, Gjermane, franceze etj si: “Andino”, “Apaqi”, “Sirtaki”, “Euclid”, “Vullkan”, “Super zhitarka etj, ka informuar në fjalën e tij Ramadani.
Ai ka thënë se është respektuar çmimi i korrjes nga ana e kombajnerëve, duke potencuar se gjendja teknike e tyre ka qenë e mirë dhe gjatë gjithë koh ës e monitoruar nga komisioni.
“Çmimi për korrje – shirjen është respektuar nga ana e kombajnerëve, ashtu edhe siç është vendosur në fillim, e që ishte 110 euro / ha, sikur që janë respektuar edhe kushtet e korrjes së kulturave bujqësore. Komisioni gjithashtu ka përcjellë edhe gjendjen teknike të autokombajnave, që gjatë tërë kohës ka qenë e mirë”, ka thënë drejtori Ramadani.
Për vetëm dhjetë ditë është arritur që fushata të përfundoj në terrenet e rrafshëta që kapin 90 % të mbjelljeve të sivjetme. Për të vazhduar pastaj në terrenet kodrinore – malore, që rendimentet janë më të ulëta.
“Në terrenet e rrafshëta fushata ka përfunduar brenda dhjetë ditëve dhe rendimenti mesatar ishte 4380 kg / ha, kurse në viset kodrinore – malore ato silleshin nga 2800 kg / ha deri në 4000 kg / ha, ndërsa rendimenti mesatar për grurë, në nivel të komunës është 4154 kg / ha, për elb 4465 kg / ha dhe për tërshërë 1763 kg / ha”, tha ai.
“Rendimentet mesatare janë nën pritjet tona dhe në këto rendimente kanë ndikuar kushtet klimatike jo të mira, ku në kohën e pranverës kishim të reshura të shpeshta dhe kryesisht një mot të përcjellë me temperatura të ulëta, por edhe mos aplikimi i masave të domosdoshme agroteknike nga ana e fermerëve ka bërë që këto vlera të mos jenë më të larta”, tha për fund ai duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin, sjelljen korrekte dhe kontributin në përfundimin e suksesshëm të fushatës së korrje – shirjeve.
Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani, ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, që të kenë shumë kujdes dhe të mos bëjnë ndezjen e hamulloreve, sepse kjo ndikon drejtpërdrejtë në rënie të rendimenteve gjatë të ardhmes, është rrezik për zgjerim të zjarreve dhe rrezikim të shtëpive por edhe jetës së njerëzve por depërtimi i tyre në pyje është në një formë shkatërrim i një pasurie që është e të gjithë neve pa dallim.
Tottenham shkarkon nga detyra trajnerin
Besnik Salihu dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen në Dumni...
Kosova dhe Shqipëria synojnë partneritetin doganor, për leht...
“Shok, me siguri nesër përfundon” – mesazhi që Murseli ia dë...
Joao Pedro arrin një rekord historik në Premier League
FSK-së kryen ushtrimin 36 orësh, kadetët zhvilluan trajnim p...