Franca mbështet Kryeprokurorin Lumezi

16:58 | 10 Qershor 2015
M. A.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim njohës ambasadoren e Francës në Prishtinë, Maryse Daviet.

Ambasadorja Daviet në këtë takim e uroi kryeprokurorin Lumezi, për dekretimin e tij në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e njoftoi ambasadoren Daviet me synimet e tij si kryeprokuror i Shtetit, me sfidat, me të cilat po ballafaqohet Prokurori i Shtetit, si dhe sistemi prokurorial i Kosovës në tërësi, si dhe me zbatimin e reformave në këtë sistem.

Lumezi, theksoi se “sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës, terrorizmit dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të këtij sistemi”.

Ndërkaq, ambasadorja franceze Daviet, duke i premtuar kryeprokurorit Lumezi përkrahje dhe bashkëpunim të plotë nga ana e saj, në të gjitha çështjet që mund të bashkëpunojnë Prokurori i Shtetit dhe Franca, përmes ambasadës së saj në Prishtinë, e inkurajoi kryeprokurorin Lumezi, që të punojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shpërndaje në rrjete sociale