Forumi politik i të rinjve në Ferizaj drejton shumë vërejtje për qeverisjen lokale

20:50 | 6 Prill 2015
M. A.

Forumi Politik i të Rinjve të Ferizajt, si strukturë që për synim ka të avancoj pozitën e të rinjve në politikat publike, gjegjësisht në vendimmarrjen lokale, shpreh shqetësimin me mosveprimin e institucioneve lokale për gjendjen e keqe të krijuar në shumë fusha në nivel lokal të cilat radhitur në listë, paraqesin vargun e pashkëputshëm të dëshpërimit të qytetarëve të Ferizajt me qeverisjen dhe veprimet institucionale në Komunën e Ferizajt.

Duke parë gjendjen aktuale të funksionimit të ekzekutivit lokal, dëshpërimin e qytetarëve, mungesën e shpresës për të gjithë për të prosperuar ndershëm dhe me dinjitet, konsiderojmë se duhet të sigurohet pronësia e përgjegjësisë që ka Komuna e Ferizajt në trajtimin, vendosjen e praktikave progresive dhe zgjidhjen e tyre.
Ata kanë listuar disa nga problemet me të cilat thonë se po përballen qytetarët e Komunës së Ferizajt, e që sipas tyre, zgjidhja e tyre është harruar nga zyrtarët komunal.
Forumi përmes një komunikate thotë se disa nga sfidat e qeverisjes lokale dhe brengat e qytetarëve, që ata besojnë se janë: “është mungesa e përfaqësimit politik në nivel qendror; paaftësia për të sjell donacione dhe investitorë të huaj; pozicionimi i kazinove dhe basteve afër vendbanimeve (lagje, zona urbane), rrezik për shfaqjen e kriminalitetit në këto zona; shërbime joefikase komunale; mungesë e përfaqësimit, përfshirjes në vendimmarrje të mërgatës ferizajase në institucione lokale; ripozicionim i Spitalit Rajonal, projekt i mbetur në letër; mbetja në mëshirë të fatit të familjeve skamnore; punësim dhe mbipunësime kryesisht partiake; imigrim masiv i qytetarëve, kryesisht të rinjve; papërfaqësim i të rinjve në vendimmarrjen lokale; avancim dhe favorizim i të rinjve anëtar të partisë udhëheqëse; mungesë e ndërmarrjes së hapave konkret për krijimin e një ambienti të favorshëm dhe dinjitoz për veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës; projekti për futjen e hekurudhës nën tokë, mbeti në Kafaz; ngecje në realizimin e premtimit për autonomi financiare të shkollave të mesme dhe fillore; ngecje në finalizimin e projekteve të planifikuara dhe infrastrukturës bazike (kanalizim, ujësjellës); centralizim i aktivitetit kulturor dhe deficit buxhetor për kulturën; ngecje në realizimin e premtimit për hapjen e 3000 vendeve të reja të punës; mosrealizim i idesë për krijimin/hapjen e parqeve industriale; heqja e ndihmës/subvencioneve për biznesin lokal të miratuar nga Kuvendi Komunal; ngecje në trajtimin e qenve endacak si rrezik potencial për jetën e qytetarëve ; menaxhim i dobët i mbeturinave; mungesa e hapësirave të reja të gjelbërt; vendosja e praktikës së emërimeve të përkohshme në pozita të rëndësishme komunale; reformatim i menaxhimit me dikastere komunale e bazuar në riciklimin, ripozicionimin e drejtorëve komunal; moszgjidhja e statusit të Teatrit Profesional “Adriana” sic parashikon ligji për teatrot; tendencë për politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike; “Gjeniu i Harrimit”, ndërtimi i bulevardit të gjenive, sallës së koncerteve, kinemasë, bibliotekës rajonale etj, një projekt i harruar; rreziku potencial për qytetarët vjen edhe nga mungesa e trajtimit, rinovimit të fasadave të ndërtesave të larta kolektive; pajisjet e dëmtuara dhe mosfunksionalizimi i kabineteve shkollore; mungesa e Planit Lokal Kulturor për Komunitete; mbetja e arsimtarëve jashtë sistemit të pagave si “tepricë teknologjike”; mungesë e investimeve në fushën e turizmit dhe promovimin e saj; pagesa me vonesë e punëtorëve të ri shëndetësor; mbivendosje e institucioneve, organeve për fusha të caktuara siç është bujqësia; imigrim edhe i punëtorëve komunal drejt vendeve të huaja ; rrënimi i shkollës fillore “Tefik Çanga” si një ndër objektet më të vjetra të Ferizajt; mosmbajtja e premtimit për angazhimin e ekspertëve në menaxhimin e dikastereve komunale; aktivitet i dobësuar i shoqatave të personave me nevoja të veçanta për shkak të mungesës së financave dhe përkrahjen nga organet e pushtetit; gjobitje kundërligjore e bizneseve nga Kuvendi Komunal (rasti i festës së 1 dhe 9 majit); rritje e kriminalitetit dhe gjendjes së pasigurisë në nivel lokal.”, thuhet në komunikat.
Thonë se qytetarët e Ferizajt, më shumë se kurrë kanë të drejtën të jenë të zhgënjyer, të tradhtuar dhe të mashtruar nga zyrtarët lokal, të cilët nuk sigurojnë menaxhim efikas të resurseve lokale dhe janë përgjegjës për gjendjen e krijuar në këtë komunë.
Po ashtu, zgjidhja e problemeve të tilla, disa prej tyre me rëndësi jetike për ta mbeten projekte të harruara qeveritare deri në zgjimin nga ëndrra të pushtetarëve lokal.
“Qeverisjes lokale i mbetet të implementoj zotimet e saja ose të përfundoj në koshin e premtimeve të pambajtura dhe refuzimit qytetar. Ne besojmë se kjo gjendje duhet të ndryshohet në të ardhmen e afërt dhe të sigurohet pronësia e përgjegjësisë të zyrtarëve lokal për të gjitha problemet e potencuara dhe jo vetëm”, thotë ky Forum./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme