Figliuolo: Institucionet e Kosovës po bëjnë çdo gjë për të luftuar terrorizmin

16:18 | 23 Korrik 2015
M. A.

Rreziku nga sulmet terroriste është një problem global, e që kohët e fundit edhe Kosova po përballet me të. Ligji që ndalon pjesëmarrjen në luftëra dhe shkëmbimi i informacioneve mes institucioneve përkatëse në këtë çështje, janë mënyrat më të mira për të luftuar këtë dukuri.

Kështu tha komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, i cili mendon se organizatat e sigurisë në Kosovë janë duke bërë çdo gjë që kanë mundësi për parandalimin e një rreziku të tillë.

Këto komente, gjeneralmajori Figliuolo i bëri në një takim me media, ku edhe njoftoi se është në dy javët e fundit të misionit të tij në Kosovë.

Figliuolo tha se Forcat e Sigurisë së Kosovës po tregojnë një përkushtim dhe profesionalizëm të madh karshi kërcënimeve për sulmet terroriste.

Megjithatë, ai mendon se duhet të bëhet ende më shumë por që Kosova është në rrugë të drejtë, e krejt kjo falë bashkëpunimit të mirë mes të gjithë protagonistëve të përfshirë që kanë nën përgjegjësinë e tyre sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Në gusht të këtij viti komanda e KFOR-it në Kosovë do të ndërrohet, e kështu, KFOR-i njoftoi sot për aktivitet e kryera gjatë misionit për 11 muaj që kishte komandanti Figliuolo në Kosovë.

Zëdhënësi i tij, Andrea Marteloti përmendi disa nga aktivitet e kryera. Ai kujtoi që komandanti i KFOR-it ka pasur edhe takime me shefat e shtabit të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të arrihet një siguri jo vetëm në Kosovë por në mbarë Ballkanin.

Gjithashtu, gjatë mandatit të tij, komandanti është takuar më shumë se 50 herë me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e kombëtare.

Figliuolo tha se është i kënaqur me nivelin e sigurisë në Kosovë.

Njëmbëdhjetë muajt e misionit të komandantit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, përfundojnë në gusht, kur edhe do të bëhet ndërrimi i komandës.

KFOR-i në Kosovë bashkëpunon dhe vepron si reagues i tretë, pra pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, në mënyrë që të ndihmojë në qëndrimin e një ambienti të sigurtë për qytetarët e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale