Falsifikoi vërtetimet e invalidëve të luftës, arrestohet punëtori i kompanisë së sigurimeve

15:10 | 13 Korrik 2018
V. S.

Një njoftim të Prokurorisë bëhet e ditur se është arrestuar i dyshuari me iniciale D.G. është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka nxjerr aktvendim për ndalimin e personit D.G. i arrestuar nga Policia e Kosovës, për shkak të dyshimit  të arsyeshëm se nga muaji tetor 2015 e deri në muajin mars 2018, në mënyrë të vazhdueshme gjatë kryerjes së detyrës si agjent në kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, dega në Podujevë, ka falsifikuar vendimet e invalidëve të UÇK-së, dhe ka vënë në lajthim personat e autorizuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë e paraparë të shërbej si provë për regjistrimin e automjetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjithnjë sipas njoftimit, i pandehuri D.G. personave të autorizuar të kësaj qendre ua ka prezantuar vendimin kinse personat kanë qenë invalid të Luftës së UÇK-së, edhe pse këta nuk e kanë pasur këtë status.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë,  i pandehuri D.G. ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Duke përmendur rrezikun e ikjes si dhe ndikimin tek dëshmitarët dhe të dëmtuarat, Prokurori i rastit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin nga Gjykata./kallxo.com/