Eurodeputeti austriak: Kosova e pagoi me gjak lirinë, nuk ia përmbushët premtimet që ia dhatë

11:57 | 6 Korrik 2022
A Z

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mos-liberalizim vizash për Kosovën, duke theksuar se është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor populli i së cilit që nuk mund të lëviz lirshëm nëpër zonën Schengen.

Mandl këtë deklaratë e dha në mbledhjen e Parlamentit Evropian, ku po diskutohet për Kosovën dhe raportin e progresit të saj.

“Sot po flasim për Republikën e Kosovës dhe raportin e Kosovës. Dua të them se Kosova e ka paguar me gjakun e saj lirinë, BE-ja dhe SHBA-ja e ndihmuan vendin për të fituar pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik dhe ka shtet ligjor dhe këtë e ka bërë në shpejtësi të madhe. Është demokraci e qëndrueshme. Po, ligjvënia duhet të përmirësohet, por shteti ka një Kushtetutë të fortë”, ka deklaruar ndër të tjera Mandl.

“Ky vend është njohur nga më shumë se 100 shtete përfshirë edhe Izraelin. Ky është një vend që ende s’është njohur nga një numër i vogël i vendeve të BE-së. Ky vend është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza. Këtij vendi i janë bërë premtime për këtë, të cilat s’janë mbajtur. Kjo ka ndodhur me Republikën e Kosovës. Por populli i Kosovës e mbështet integrimin në BE, më shumë se të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Dhe shumë mund të mësohet nga Kosova, kjo demokraci e re në Evropë. Prandaj sinjali i sotëm nga Parlamenti Evropian do të jetë i rëndësishëm”, ka thënë Mandl në fjalimin e tij./arbresh.info/