Emilja Rexhepi paralajmëron se do t’i drejtohet Kushtetueses pasi Supremja ia refuzoi ankesën

21:42 | 9 Shkurt 2026
E.G

Kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilja Rexhepi, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare pasi ankesa iu refuzua edhe nga Gjykata Supreme.

Sipas saj, Supremja i ka refuzuar ankesat pa asnjë arsyetim serioz e juridik.

Ajo thotë se vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak po shndërrohen në poligon manipulimi dhe jo në mekanizëm mbrojtës për komunitetet.

“Vendet e rezervuara, përkatësisht të garantuara, ekzistojnë pikërisht që komunitetet që nuk janë shumicë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre autentikë. Çdo veprim i kundërt përbën abuzim të rëndë të sistemit dhe anulim të drejtpërdrejtë të qëllimit kushtetues të mandateve të rezervuara. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përmes nenit 64, garanton vende për komunitetet jo shumicë, ndërsa neni 57 garanton përfaqësimin e tyre politik dhe mbrojtjen institucionale. Injorimi i këtyre dispozitave nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme përbën një goditje të vetëdijshme ndaj rendit kushtetues.”, thuhet në reagimin e Rexhepit në Facebook.

Sipas saj, ka devijim të organizuar të votace dhe manipulim me mandatet e rezervuara.

“Koalicioni Vakat në zgjedhjet e fundit ka marrë vota në fshatin Velezh (komuna e Prizrenit), ku nuk jeton asnjë boshnjak, ndërsa kandidati Bahrim Sabani ka marrë 86 vota dhe me këto vota ka krijuar përparësi brenda komunitetit boshnjak. Nenad Rašić ka marrë gjithsej 210 vota në fshatra etnikisht boshnjake ku nuk ka popullsi serbe, përfshirë Gornje Ljubinje, Donje Ljubinje, Grnçare dhe fshatra të tjera me shumicë boshnjake. Partia serbe SPO merr vota në fshatra boshnjake ku nuk ka serbë. Kjo nuk është proces politik – kjo është devijim i organizuar i votave dhe manipulim i hapur me mandatet e rezervuara”, ka shkruar Rexhepi.