Të dielën e 7 dhjetorit, në orën 23:59, do të përfundojë afati për subjektet politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Ky lajm është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, të gjithë kandidatët do të verifikohen nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Më 7 dhjetor 2025, në orën 23:59, përfundon afati për subjektet politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, njoftoi Elezi.
Sipas tij, “në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.
Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet nëse bie në kategoritë e ndaluara nga ligji, përfshirë mbajtjen e funksioneve të veçanta publike, pozitat diplomatike, anëtarësinë në organet zgjedhore apo mosrespektimin e vendimeve të PZAP-it dhe KQZ-së. Kufizimi më i rëndësishëm është ai që ndalon kandidimin e çdo personi që në tre vitet e fundit ka një dënim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me së paku një vit burgim efektiv.
Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës do të zhvillohen më 28 dhjetor.
Në garë janë 24 subjekte, përfshirë dhe Listën Serbe, të certifikuar pas ankesës në PZAP, si dhe Nismën, pas plotësimit të dokumentacioneve të nevojshme.
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...
“Mos më kërcëno!” – Londrimi i drejtohet Labinotit