Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

15:33 | 11 Dhjetor 2025
E.G

Një shtetas kosovar është ekstraduar nga Gjermania.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Në njoftim, thuhet se ai ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vuajtjen e dënimit prej një viti burgim dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

I dyshuari pas ekstradimit, i është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Pejës për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen/arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e policisë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale