Ekspertët kërkojnë mobilizim për vaksinim

21:41 | 10 Korrik 2021
Arditë Shkodra

Në mesditën e së shtunës në Qendrën e Vaksinimit “1 tetori” nuk erdhi as edhe një qytetar i vetëm për t’u imunizuar me vaksinën AstraZeneca e cila aktualisht po administrohet tek masa.

Teksa gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 7,741 vaksina, ani se kreu i shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se kapacitetet janë për administrimin e 17 mijë dozave brenda ditës.

Derisa me këtë tendencë të imunizimit infektologu Ilir Tolaj druan se ndonjë sasi e kësaj kure mund të hidhet poshtë.

Infektologu Tolaj shton se ky mosinteresim i qytetarëve për vaksinim vjen për shkak të rënies së numrave me virus, derisa fajëson IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë që nuk po e kryejnë mirë punën e tyre në edukim dhe vetëdijësim për imunizim.

E sipas kreut të Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi, hezitimi i popullatës po ndodh ngase qytetarët po tregojnë pasiguri në kualitetin e vaksinave.

Mirëpo, farmacisti Jakupi shton se kjo nuk duhet të ndodhë dhe qytetarët duhet të vaksinohen të paktën me dozën e parë gjatë muajve të verës, në mënyrë që sezoni i vjeshtës të mos i gjejë të paimunizuar për shkak të paraqitjes së gripit sezonal.

Që të dy këta thonë se janë vaksinuar me kurën AstraZeneca dhe nuk kanë pësuar asnjë komplikim.

Shpërndaje në rrjete sociale