Dy persona të plagosur me armë zjarri në Prizren, tre të dyshuar në kërkim

10:09 | 6 Janar 2026
E.K

Dy persona janë dërguar të hënën në mbrëmje në emergjencën e spitalit në Prizren, nën dyshimin se ishin plagosur me armë zjarri nga persona të dyshuar që pas incidentit u larguan nga vendi i ngjarjes.

Policia ka bërë të ditur se i ka identifikuar tre të dyshuar, të cilët aktualisht janë në kërkim policor. Në kuadër të hetimeve, u janë kontrolluar shtëpitë dhe në njërën prej tyre është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë që dyshohet të jetë me gaz.

Njëri nga të plagosurit është liruar në shtëpi pas tretmanit mjekësor, ndërsa tjetri mbetet për trajtim të mëtejshëm.

“Prizren / 05.01.2026 – 22:45. Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë janë dërguar në emergjencën e spitalit në Prizren për shkak të dyshimit se ishin plagosur me armë zjarri nga persona të dyshuar, të cilët pas incidentit, me veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit dhe janë duke i hetuar rrethanat e rastit. Janë identifikuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë të cilëve u janë kontrolluar shtëpitë dhe në njërën prej shtëpive është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë që dyshohet të jetë me gas. Njëri prej viktimave pas tretmanit mjekësor është liruar në shtëpi, kurse tjetri është ndalur për tretman të mëtejmë mjekësor. Të dyshuarit gjenden ne kërkim policor, ndërsa rasti ne procedure hetimore”, thuhet në raportin e policis./Arbresh.info