Dorëzimi i parave të gjetura nga qytetarët ka shënuar rritje

23:20 | 11 Janar 2026
E.G

Ndërgjegjësimi qytetar dhe besimi ndaj institucioneve po shënojnë rritje. Në rajonin e Ferizajt, gjatë vitit 2025, qytetarët kanë dorëzuar në polici 16 herë para dhe dokumente të gjetura, ndërsa në disa raste shembull janë bërë edhe fëmijët.

Nga viti në vit dukuria e dorëzimit të parave të gjetura nga ana e qytetarëve tek organet e Policisë po shënon rritje. Gjatë vitit 2025 në rajonin e Ferizajt janë shënuar 16 raste.

“Në vitin 2025, në rajonin e Ferizajt kemi regjistruar gjithsej 16 raste të gjetjes së parave dhe dokumenteve, të cilat qytetarët i kanë dorëzuar në polici. Nga këto raste, 7 janë regjistruar në Shtime, 4 në Ferizaj, 3 në Han të Elezit dhe 2 në Shtërpcë. Në të gjitha rastet, qytetarët kanë gjetur çanta apo portofol dhe i kanë dorëzuar në stacionet e policisë”, tha Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt.

Inkurajuese është se disa nga rastet janë bërë nga fëmijë. Presidentja Vjosa Osmani kishte dekoruar më parë tre fëmijë ferizajas për veprime të tilla.

“Janë tre raste ku fëmijë kanë gjetur para dhe dokumente personale dhe i kanë dorëzuar në polici. Një nga këta ishte 15-vjeçar, tjetri 10-vjeçar, dhe të dy kanë gjetur shuma të konsiderueshme parash, të cilat i kanë kthyer në polici”, shtoi Kanun Veseli.

Sociologët vlerësojnë këto gjeste si pozitive, duke theksuar se ato tregojnë rritjen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj Policisë.

“Nga aspekti sociologjik, kjo lidhet me rritjen e vetëdijes sociale. Si fenomen, ky dukuri ka dimension juridik, social, kulturor dhe moral. Rritja e numrit të atyre që kthejnë gjërat e gjetura tregon rritjen e kohezionit social dhe besueshmërisë ndaj institucioneve, veçanërisht ndaj Policisë së Kosovës”, shpjegon Imer Tifeku, sociolog.

Edhe në fillim të këtij viti janë regjistruar dy raste të dorëzimit të dokumenteve dhe parave të gjetura, duke treguar vazhdimësinë e këtij trendi pozitiv./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale