Dogana dhe Inspektorati ndalojnë 275 lodra të dyshuara për pirateri

11:56 | 4 Shtator 2025
Q L

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut, ka ndërmarrë një aksion të përbashkët kundër produkteve që dyshohet se shkelin të drejtat e autorit dhe të pronësisë intelektuale.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë 12 inspektimeve në tregun e brendshëm, janë ndaluar nga qarkullimi 275 njësi lodrash për fëmijë për të cilat ekziston dyshimi se cenojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Këto veprime janë pjesë e angazhimit të Task Forcës Kundër Piraterisë dhe synojnë forcimin e zbatimit të ligjeve që mbrojnë pronësinë intelektuale në Kosovë.

“Dogana e Kosovës dhe Inspektorati i Tregut mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe do të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për të parandaluar dhe luftuar fenomenin e piraterisë dhe falsifikimit në tregun e brendshëm,” thuhet në komunikatë.