DnV: Rinumërimi i plotë i pashmangshëm, hetimet të përfshijnë kandidatët

12:27 | 19 Janar 2026
E.G

Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se rinumërimi i plotë i votave preferenciale në nivel vendi është i domosdoshëm, pas konstatimit të devijimeve masive në numërimin e votave për kandidatë në disa komuna.

“Një javë pas publikimit të gjetjeve të para dhe pas rinumërimeve të pjesshme, shmangia nga vendimi për rinumërim të plotë vetëm sa po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor.

Organizata thekson se parregullsi të konsiderueshme janë evidentuar jo vetëm në komunat ku është bërë rinumërim i plotë, por edhe në një pjesë të komunave që kanë qenë pjesë e mostrës prej 10 për qind.

“Paralelisht, DnV vlerëson se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe me një qasje të koordinuar dhe hetim gjithëpërfshirës në nivel vendi. Një qasje e tillë do të mundëson sqarimin e përgjegjësive individuale, por edhe identifikimin e çdo modeli të mundshëm të veprimeve të koordinuara që mund të kenë cenuar integritetin e numërimit”.

Në mënyrë të veçantë, DnV thekson se hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm në aspektin teknik të procesit, por të përfshijnë edhe kandidatët që kanë përfituar nga devijimet.

Organizata vlerëson se modelet e përsëritura të mospërputhjeve në favor të kandidatëve të caktuar ngrenë dyshime të arsyeshme për veprime të qëllimshme, duke kërkuar hetim të plotë për të sqaruar nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte ose indirekte në manipulimin e votës.

Shpërndaje në rrjete sociale