DnV: QNR të rrisë kapacitetet që procesi paszgjedhor të përmbyllet sa më shpejtë

15:25 | 23 Shkurt 2021

Demokracia në Veprim (DnV), edhe pas përmbylljes së procesit të votimit dhe numërimit në vendvotime, ka vijuar me vëzhgimin e procesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si dhe zhvillimeve tjera që ndërlidhen me zgjedhjet.

Përmes një komunikate për media Dnv-ja thotë se duke u bazuar në raportimet e vëzhguesve, proceset e zhvilluara deri më tani në QNR kanë qenë në përputhje me legjislacionin përkatës, por janë zhvilluar me ritëm të ngadaltë. Procesi i verifikimit të materialeve zgjedhore, procesimi i votave me kusht dhe atyre nga jashtë vendit, si dhe rinumërimi i rreth 500 kutive, po vazhdojnë të përcjellën me transparencë dhe me pjesëmarrje të madhe të vëzhguesve vendorë por edhe atyre ndërkombëtarë.

Tutje theksohet që KQZ-ja duhet të ndërmarrë hapa për rritjen e kualitetit të trajnimeve.

Më poshtë komunikata e plotë:

Ndonëse vendimi për rinumërimin e mbi 20% të vendvotimeve në nivel vendi ndikon në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe saktësisë së rezultateve, ky proces shpërfaqë problemet me kualitetin dhe kualifikimet e komisionerëve, si dhe trajnimeve të organizuara për ta nga KQZ-ja. Mosadresimi i problemeve të evidentuara edhe gjatë proceseve të kaluara, ka ndikuar që sërish të përsëriten problemet e njëjta, veçanërisht me bartjen e votave të kandidatëve të subjekteve politike. Në këtë drejtim, KQZ duhet medoemos të ndërmarr hapa për rritjen e kualitetit të trajnimeve, apo edhe të krijohen mekanizma për ndëshkimin e komisionerëve të cilët si rezultat i gabimeve, njerëzore apo të qëllimshme, kanë deformuar vullnetin qytetar dhe në mënyrë indirekte kanë ndikuar në vonimin e procedurave paszgjedhore deri në certifikimi i rezultateve zgjedhore.

DnV rikujton që vendi ndodhet para limiteve të fundit kohore për zgjedhjen e Presidentit, të cilit duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë së re. Prandaj, DnV kërkon që, për aq sa është e nevojshme, QNR të rrisë edhe më shumë kapacitetet humane për menaxhimin dhe përmbylljen e procedurave brenda një periudhe sa më të shpejtë kohore.

Sa i përket numrit të dyshimtë të votave të dy subjekteve politike, një nga komuniteti boshnjak dhe një nga ai rom, DnV vlerëson se të njëjtat janë të diskutueshme, në radhë të parë për shkak se janë fituar në zona ku nuk ka koncentrim të komuniteteve përkatëse, si dhe së dyti, për shkak se delegjitimojnë idenë e vendeve të garantuara për komunitetet në Kuvend. Votat e fituara nga subjektet politike “Ujedinjena Zajednica Adrijana Hodzic” dhe “Romani Iniciyativa” janë rezultat i një rritje të pazakontë të daljes së votuesve në zonat me shumicë serbe, ku janë fituar shumica dërrmuese e votave përkatëse të këtyre dy subjekteve. Madje, në rastin e votave të subjektit politik nga komuniteti rom, pikërisht si rezultat i votave të fituara në shumicë serbe, komuniteti rom do të jetë i përfaqësuar nga dy deputetë, përkundër faktit që numri i banorëve të këtij komuniteti është disa herë më i vogël se i dy komuniteteve tjera.

DnV kërkon trajtimin e këtij fenomeni nga organet kompetente, në mënyrë që i njëjti të mos shndërrohet në normë dhe precedent për subjektet e mëdha politike, që do të mund të krijonin subjekte “satelite” tek komunitetet, duke tjetërsuar vullnetin e vërtetë të qytetarëve të komuniteteve përkatëse, e që do të minonte edhe arsyen e ekzistimit të ulëseve të garantuara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara