Dhjetëra automjete ushtarake vijnë nga Amerika për ushtrinë e Kosovës

20:13 | 21 Korrik 2020

Ndihmat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës nuk kanë fund.

Kësaj here një kontingjent me automjete të blinduara është nisur nga SHBA-të, dhe pritet që sonte të hyjnë në territorin e vendit tonë.

Dhjetëra automjete që do t’i shërbejnë Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa në fotografitë e shpërndara në rrjete sociale shihen disa kamionë që bartin këto automjete.

Koordinatori i “Sfidat e Mijëvjeçarit”, Petrit Selimi në Twitter shkruan se ky kontingjent arrin sonte në Republikën e Kosovës, teksa thotë se është tregues i një marrëveshje që i siguron Forcës së Sigurisë së Kosovës, armë amerikane ndërsa kalon në një forcë ushtarake e arsyeshme në NATO.

“Dërgesa e re e dhjetëra automjeteve të blinduara për ushtrinë e Kosovës që mbërrijnë sonte në Kosovë, tregues i një marrëveshjeje që siguron Forcën e Sigurisë së Kosovës, armë amerikane ndërsa kalon në një forcë ushtarake e arsyeshme në NATO”, shkruan Selimi.

Rreth dy vite më parë nga Amerika në Kosovë, po ashtu kishin arritur 24 automjete ushtarake “Humvee”.

Këto automjete, i kishin kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 7 milionë euro.

Për formimin e ushtrisë, Kosova mori mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kishte thënë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është mese e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara