Analistët e kanë cilësuar seancën e sotme të mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës si një imazh të keq për vendin në arenën ndërkombëtare.
“Kjo seancë e konstituimit ka nisur keq, në kuptimin që përfunduam në lajme ndërkombëtare. Imazhi i Kosovës në fillim të vitit 2025 është katastrofal nëse vazhdon kështu me papërgjegjësi kjo klasë politike. Është dashur të konstituohet kryetari i Kuvendit, të kemi parlament, pastaj a i ka numrat apo jo qeveria, është çështje tjetër”, ka thënë analisti Muhamet Hajrullahu.
Analistja Fatime Hajdari, në anën tjetër, ka thënë se mos konstituimi i legjislaturës së re ka qenë veprim i pastër politik.
“Ajo që sot e kemi parë ka qenë veprim puro politik nga opozita. Mendoj që ata e kanë parë të sigurt se do të kemi jo vetëm votimin e kryetarit të Kuvendit, por edhe të Qeverisë. Pastaj, nga frika se mos dikush nga votat e tyre do të lëvizë, e kanë parë të arsyeshme mosvotimin e raportit për marrjen e mandateve. Paqartësi juridike nuk kemi,” ka thënë ajo.
Ndërkaq, profesori Kadri Kryeziu ka thënë se dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti nuk ka bazë ligjore.
“Kur Kuvendi nuk është në funksion, kryeministri nuk ka mundësi të japë dorëheqje. Në momentin kur e ka marrë detyrën e deputetit, nuk e ka marrë si kryeministër, por si individ. Ai moment krijon një marrëdhënie të re juridike të karakterit politik. Kjo nënkupton që a me qenë deputet apo ministër, nuk është fjala për qeveri në detyrë,” ka thënë ai.
Kritika janë shtruar për deputetët e NISMA-s, të cilët, sipas profesoreshës Besa Luzha, po bllokojnë procese.
“Këtu është bllokimi dhe shantazhi i pakicave jo serbe ndaj shumicës. 3 votat e NISMA-s kanë qenë për, 11 të tjera kanë munguar,” ka thënë ajo në RTK Prime.
Sot ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u miratua raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve. Krerët e partive politike, të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nëpërmjet postimeve në Facebook, kanë kërkuar dorëheqjen e Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit, ndonëse ky i fundit ka dorëzuar një letër ku shkruan se jep dorëheqje nga ky post para betimit të tij si deputet.
“Provat mbështesin veprime të fshehta gjatë luftës”, pretend...
Reuters raporton për fazën përfundimtare të gjykimit ndaj kr...
Gucati i quan skandaloze deklaratat e West: Kërkesa për 180 ...
Arrestohet kosovari në Tiranë, kërkonte 100 mijë euro nga 26...
Rama për Kushtetuesen, paralajmëron ndërhyrje në legjislacio...
Identifikohet dhe arrestohet shoferi që goditi këmbësorin dh...