Deputetët në Maqedoni gjatë gjithë fundjavës do të debatojnë për zgjedhjen e Qeverisë së re

21:43 | 13 Janar 2022

Debati parlamentar për zgjedhjen e qeverisë së re do të zgjasë gjithë fundjavën dhe opozita njofton se do të shfrytëzojë mundësitë e saj institucionale, të cilat parashikojnë që debati të zgjasë dy ditë, andaj seanca parlamentare pritet të fillojë në orën 11:00 dhe të përfundojë të dielën në mesnatë.

“OBRM-PDUKM do t’i shfrytëzojë maksimalisht mundësitë e veta institucionale dhe do të marrë pjesë në debatin 48 orësh për ta bindur opinionin se kjo është një rezervë tjetër dhe si qeveria e mëparshme e paaftë e LSDM-së”, thonë nga OBRM-PDUKM për “Fokus”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas procedurës, debati për zgjedhjen e qeverisë së re zgjat maksimumi dy ditë, dhe zgjedhja e qeverisë votohet pas përfundimit të tij, gjegjësisht deri 24 orë në ditën e dytë ose në këtë rast të dielën deri në mesnatë. Qeveria zgjidhet nëse për të voton shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvend.

Sipas Rregullores së Kuvendit, mandatari shpjegon programin dhe propozimin për përbërjen e qeverisë në seancën e Kuvendit, në të cilën zgjidhet ajo. Pas programit të kryeministrit të mandatuar dhe propozimit për përbërjen e qeverisë, Kuvendi zhvillon debat të vetëm.

Rregullorja e Punës parasheh që rendin e deputetëve të cilët do të marrin pjesë në debat e përcakton Kryetari i Kuvendit në mënyrë që të sigurojë pjesëmarrjen e deputetëve të partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend. Votimi për zgjedhjen e Qeverisë bëhet mbi propozimin për përbërjen e Qeverisë në tërësi, me votim publik./telegrafi

Lajmet më të lexuara