Dënohen me 75 vjet burg pesë të akuzuarit për 400 kilogramë kokainë

15:30 | 19 Mars 2026
A Z

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar (së bashku) me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, si dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Lutfi Shala.

Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, ndërsa Izet Sheqiri edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas vendimit, i akuzuari Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë; Kadri Brahimi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë; Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë; ndërsa Fehmi Bytyqi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Kurse, Izet Sheqiri u dënua me 20 vjet burgim dhe 60 mijë euro gjobë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe 3 mijë euro për “Armëmbajtje pa leje”, pra gjithsej 63 mijë euro gjobë.

Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi u caktohet masa e paraburgimit, ndërkaq të tjerëve u vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve u llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Konfiskohet sasia e narkotikut, mjetet që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, si dhe arma për të cilën u shpall fajtor i akuzuari Izet Sheqiri.

Të akuzuarit obligohen të paguajnë nga 500 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, njërit prej të akuzuarve iu përkeqësua gjendja shëndetësore, andaj iu ofrua ndihmë mjekësore.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.