Demonstrimi i sistemit raketor kinez, Vela: Serbia po e rrezikon paqen në rajon

16:42 | 30 Prill 2022

Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka reaguar, pasi Ushtria e Serbisë sot shfaqi në publik sistemin kinez të mbrojtjes ajrore FK-3, që ka arritur në këtë vend para pak ditësh nga Kina.

Vela përmes një postimi në Twitter tha se Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë.

“Serbia zbuloi publikisht sistemin e raketave kundërajrore me rreze të gjatë K-3 të marrë së fundmi nga Kina. Serbia është i vetmi vend evropian që pranon dhe operon një sistem të tillë armësh kineze. Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela.

Serbia pranoi dërgesën me këtë sistem të sofistikuar të mbrojtjes raketore përmes një operacioni sekret, më 10 prill.

Më 30 prill, në aeroportin ushtarak të Batajnicës, pranë Beogradit, u ekspozua një pjesë e aftësive të Ushtrisë serbe, në mesin e tyre edhe sistemi kinez FK-3.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsilloviq, tha për transmetuesin publik serb, RTS, se ky sistem me rreze të mesme veprimi, do të përdoret për mbrojtjen ajrore të vendit.

“Ky [sistem] do të ofrojë mbrojtje të hapësirës ajrore të Serbisë në kohë paqeje”, tha ai.

Armët kineze, për të cilat Serbia arriti ujdi me Kinën më 2019, arritën në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë po vazhdon. Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Serbia po përballet “me presion të madh” që të harmonizojë sanksionet evropiane kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia është e vetmja operatore e armëve kineze në Evropë. Ajo po ashtu posedon dronë kinezë CH-92A, të cilët iu prezantuan publikut në korrik të vitit 2020.

Shpërndaje në rrjete sociale