
EU-elnökség, LXXII COSAC plenáris ülés 2024.10.28-án az Országház Felsőházi termében.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, në përbërje të kryetares së Komisionit për Integrim Evropian Rrezarta Krasniqi dhe zëvendëskryetares Fjolla Ujkani, si dhe një zyrtar i komisionit, po merr pjesë në Takimin Plenar LXXII të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), që po mbahet në Budapest të Hungarisë nga 27 – 29 tetor 2024.
Kuvendi i Ksosovës njofton se ky takim plenar i COSAC-ut që mbahet dy herë brenda vitit, paraqet njërin ndër takimet më të rëndësishme të Presidencës së rotacionit të BE-së të realizuara në kuadër të dimensionit parlamentar, përcjell Arbresh.info
Në këtë konferencë ndërparlamentare marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e komisioneve parlamentare për çështje të BE-së të parlamenteve kombëtare të 27 shteteve anëtare të BE-së, përfaqësues nga Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian, institucione dhe agjenci të ndryshme të BE-së, përfaqësues nga Qeveria e Hungarisë dhe institucionet e tjera ekzekutive.
Pjesëmarrës të këtij takimi gjithashtu janë përfaqësuesit e vendeve kandidate për anëtarësim të cilat marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesit, kurse vendet me status të kandidatit potencial apo ato që mbajnë marrëdhënie të veçanta, marrin pjesë në cilësinë e mysafirit.
“Për shkak të qëndrimeve të Qeverisë së Hungarisë, Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së është përcjellë me shumë vëmendje dhe interes, sidomos për vendin tonë Republikën e Kosovës. Pas hapjes së konferencës, është paraqitur Ministri për Çështje të Bashkimit Evropian, z. Janos Boka, i cili ka prezantuar prioritetet e presidencës hungareze të BE-së gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore. Temat kryesore të cilat ishin pjesë e diskutimeve në Takimin Plenar të COSAC-ut ishin: programi dhe rezultatet e Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjendja e Bashkimit Evropian në vitin e tranzicionit institucional dhe zbatimit në 15-vjeçarin e Traktatit të Lisbonës, trendët dhe reagimet demografike evropiane në nivel kombëtar dhe evropian, siguria dhe mbrojtja evropiane etj. Kurse dy deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Krasniqi dhe znj. Ujkani kanë diskutuar në lidhje me perspektivën e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit Evropian”, thuhet në njoftim.
“Deputetja Rrezarta Krasniqi u shpreh se Parlamenti hungarez ka ndihmuar Kuvendin e Kosovës në fuqizimin e rolit të tij parlamentar, ndër vite përmes Projektit të Binjakëzimit, si dhe ka falënderuar shtetin hungarez për prezencën e trupave ushtarake në kuadër të KFOR-it, të cilët kontribuojnë në ruajtjen e një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe sigurinë e kufijve të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu kryetarja Krasniqi ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë në heqjen e masave sanksionuese të vendosura ndaj Kosovës dhe pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Përveç kësaj, ajo ka kërkuar mbështetjen e parlamenteve kombëtare që të ndryshojnë qëndrimin e 5 shteteve anëtare të BE-së: Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros, karshi shtetit të Kosovës dhe të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i cili ka vërtetuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, njofton Kuvendi.
“Ndërsa deputetja Fjolla Ujkani tha se ndodhemi në një momet të rëndësishëm të rrugtimit në BE, dhe shënimi i 15 vjetorit të Traktatit të Lisbonës i cili i ka sjellë Evropës më shumë vlera demokratike, megjithatë ky vizion nuk është i përmbushur pa përfshirjen e të gjitha 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Ajo tha se Kosova është e gatshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, jo vetëm si aleate e natyrshme por si një kontribuese proaktive e stabilitetit dhe promovimin e vlerave të demokracisë”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së në kuadër të dimensionit parlamentar pas përmbylljes së saj, do t’i kalohet asaj të Polonisë e cila mban Presidencën nga 1 janari deri me 30 qershor 2025.
Delegacioni gjithashtu ka vizituar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Budapest dhe së bashku me Ambasadorin Delfin Pllana ka zhvilluar një takim të përbashkët, ku prezentë ishin edhe Etjen Xhafaj deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Ilir Hasani deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe z. Nikolla Camaj deputet në Kuvendin e Malit të Zi./Arbresh.info
Shkëndija fiton derbin me Vardarin dhe rihap garën për titul...
Policia e Kosovës dhe Shërbimi Sekret Amerikan drejt bashkëp...
Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në...
Shtyhet më 12 mars seanca paraprake për dosjen “Meta”
Llapi siguron gjysmëfinalen pas ekzekutimit të penalltive
LVV mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e ...