Rezervuarin e traktorit, gjatë vitit të kaluar e mbushte përplot naftë me 140 euro. Por sot, fermerit Gani Dobratiqi, për 120 litra sa e ka kapacitetin ky mjet motorik, i shkojnë rreth 230 euro.
Ky shtrenjtim, e ka rënduar situatën për shumë fermerë në sezonin më të rëndësishëm për shumicën, atë të mbjelljeve pranverore.
“Ka me ndiku negativisht tek fermerët, d.m.th. vitin e kalum nëse e ke përgatit 1 hektarë misër me mbjellë me pijatore ose me fresë, ka kushtu diku maksimum 30 deri në 40 euro. Kurse këtë vit ka me mbrri deri në 100 euro”, ka thënë Dobratiqi.
Nafta, në fakt nuk është e vetmja që po i “djeg” xhepat e fermerëve, andaj sipas Dobratiqit nëse shteti nuk u del në ndihmë, shumica e fermerëve do të zvogëlojnë sipërfaqet me të mbjella.
“Janë inputet bujqësore, si farat, plehnat, këto kanë fillu prej luftës në Ukrainë, kurse ushqimi I kafshëve ka fillu prej thatësisë që ka mbizotëru vitin e kaluar, psh, një dugë sanë vitin e kalum ka kushtu 1 euro, 1.50, kurse këtë vit ka mbërri deri në pesë euro, edhe ushqimi i kafshëve. Veç buka nuk është shtrejtu shumë, mielli…”, ka shtuar Dobratiqi.
Çmimet e derivateve në përditshmëri po përpiqet t’i mbajë nën kontroll Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Të hënën, nafta u kufizua në 1.86 euro për litër, ndërsa benzina në 1.49 euro për litër.
Ndonëse, për qytetarët kjo nuk është fare lehtësim.
“Kjo ndikon shumë, minimum e ki një rezervarë më shumë kur e llogarit”, thotë Artan Hyseni, qytetar.
“Ma merr mendja që Qeveria mundet me heq, ndonjë akcizë a TVSH, sot e dëgjova që Maqedonia e ka heq një taksë, edhe këtu mundet Qeveria me heq ndonjë masë, me ndihmu pak shtetin”, propozon Rrahman Duli, një tjetër qytetar.
Po kaq të rëndësishme, ndikimin e shtetit në këtë situatë e shohin edhe nga Organizata “Konsumatori”.
“Qeveria e dinë që atë akcizë, TVSH që e kemi paguar ne më përpara, mund ta paguajmë sot në vlerë nominale pa përqindje, dhe në këtë mënyrë të stabilizohemi, por Qeveria nuk do ta bëjë këtë, I ka politikat e veta. Qeveria duhet të ndajë përgjegjësi me ne”, ka thënë Selatin Kaçaniku, kryetari i Organizatës “Konsumatori”.
Ndërsa qytetarët kërkojnë lehtësim, bizneset që tregtojnë derivatet, paralajmërojnë vështirësi edhe më të mëdha.
Sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, me vendimin e fundit të Ministrisë, nafta po shitet me çmim të njëjtë me atë të importit.
Sipas kryetarit, Fadil Bejrani, në rast se nuk merren masa të reja, mund të ketë edhe protesta./RTV Dukagjini
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Hudhra – ilaçi natyral që fuqizon shëndetin
Nxjerrja ilegale e thëngjillit në Vushtrri rrezikon banorët ...
Kopenhaga zgjidhet qyteti më i lumtur në botë
Lideri i Iranit thyen heshtjen, lëshon një deklaratë të rral...
Daku rikthehet nga lëndimi, luan në fitoren e Rubin Kazanit