Vendimi i Bashkimit Evropian për t`i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, është mirëpritur në Kosovë. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se këtij vendimi duhet t’i gëzohen sektori publik edhe ai privat, ndërsa shtojnë se, megjithatë, këto masa që nga vendosja e tyre ishin të padrejta ndaj shtetit të Kosovës.
Pas më shumë se dy vitesh nën masa ndëshkuese, Kosovës do t’i lëshohen mbi 200 milionë euro të ndihmës financiare nga Bashkimi Evropian. Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur në verën e vitit 2023 pas tensioneve në komunat veriore, u vendos të hiqen pas transferimit në mënyrë paqësore të pushtetit pikërisht në këto komuna.
Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se këtij vendimi duhet t’i gëzohen edhe sektori publik edhe sektori privat, dhe thekson se këto masa që nga vendosja e tyre ishin të padrejta ndaj shtetit të Kosovës. Sipas tyre vetë fakti që Kosova ka qenë nën masa ka qenë një mesazh jo i mirë për vendin.
“Ato masa qysh kur janë vendos në korrik të vitit 2023 kanë qenë absolutisht të pabarabarta në krahasim me atë se çfarë ka ndodh në rajonin tonë dhe fatkeqësisht kur janë vendos, tensionet kanë qenë çfarë kanë qenë. Por edhe më vonë çuditërisht kur patëm një agresion nga Serbia në territorin e Kosovës dhe ato edhe më tutje mbeten, Serbia nuk u ndëshku”, tha Emrush Ujkani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Analisti Dorajet Imeri, thotë se Kosova duhet të marrë mësimet e duhura anipse thekson se masat e vendosura nga BE-ja ishin të padrejta.
“Heqja e masave nga BE konsiderohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme në zhvillimet politike dhe në procesin e integrimit të Kosovës drejt kësaj strukture. BE ka goditur palën që ka qenë e dëmtuar. Kosova duhet të marrë mësimet e duhura në procesin e saj drejt integrimit, të vijoj me strategji, efikasitet, koordinim të plotë me shtetet e BE-së për të çuar përpara agjendat e veta”, tha ai.
Bashkimi Evropian po planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon që t’ia ndajë vendit 205 milionë euro qysh në fillim të vitit 2026./rtk
Haradinaj: Nuk flas më si opozitar, por si qeveritar i nesër...
Aksion i madh kundërkorrupsion i AKI-së dhe Policisë, arrest...
Kryeqyteti ndez dritat e fundvitit
SHBA ndalon importin e gomave nga fabrika kineze në Serbi
Kurti premton 1 miliard euro për investime kapitale
Opozita kritikon Vuçiqin për mungesë në samitin BE-Ballkani ...