Çështja e Luginës së Preshevës dërgohet tek sekretari Blinken

08:42 | 18 Mars 2023
Emir Abduramani

Kryetari i Grupit për Çështje Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se kongresistët amerikanë e kanë dërguar çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës tek sekretari i shtetit amerikan, Anthony Blinken.

Në një postim në Facebook, Mustafi ka njoftuar se pas shumë takimeve të realizuara në Capitol Hill, puna dhe angazhimi ka filluar të jep fryte, përcjell arbresh.info.

“Grupi për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan i ka dërguar një letër zyrtare Sekretarit Blinken, ku kërkon që të drejtat e shqiptarëve në Luginë të trajtohen reciproke me ato të pakicës serbe në Kosovë”, ka shkruar Mustafi.

Ai theksoi se nëse nuk sigurohen të drejtat e barabarta edhe për shqiptarët e Luginës, atëherë mund të dështojë e gjithë marrëveshja e mundshme që mund të arrihet mes Kosovës e Serbisë.

“Dështimi për të siguruar të drejta të barabarta dhe të qëndrueshme mund të vërë në pikëpyetje të gjitha aspektet e marrëveshjes. Kongresmenët këmbëngulin gjithashtu që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare. U jemi jashtëzakonisht mirënjohës miqve tanë në Kongres për mbështetjen e tyre të parezervë ndaj kërkesave të drejta dhe legjitime të shqiptarëve  në Luginë”, ka thënë ai./arbresh.info

Postimi i plotë: