Caktohet seanca ndaj Mujkës dhe Muzliukajt pas aktakuzës për korrupsion

12:46 | 26 Shtator 2025
E.K

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar datën 8 tetor 2025 për mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të akuzuar për korrupsion nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga Milinda Gashi, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Media të kësaj gjykate.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M. është caktuar të mbahet më 08.10.2025, në ora 09:30”, tha ajo për Arbresh.info.

Në këtë seancë, të akuzuarit pritet të deklarohen lidhur me fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.

Sipas aktakuzës, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk kishte deklaruar shumën prej 60 mijë e 50 euro që iu sekuestruan në shtëpi.

Të ngjashme