Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, tha se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri.
Cleverly, gjatë një takimi me Albin Kurtin në Londër më 26 qershor, tha se në mesin e hapave që duhet ekzekutivi kosovar të ndërmarrë janë: të sigurohet që kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të mund të punojnë nga lokacione alternative, të tërhiqen njësitë speciale policore nga ndërtesat komunale dhe të ndërmerren hapa për zgjedhje të reja dhe gjithëpërfshirëse.
“Ia bëra të qartë kryeministrit Kurti se vazhdimi i tensioneve vë në rrezik të arriturat në Kosovë, që janë arritur gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha Cleverly pas takimit me Kurtin.
Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, në takim zyrtari i lartë britanik ka theksuar se Kosova dhe Serbia janë përgjegjëse që të veprojnë tani për të shtensionuar situatën dhe për të shmangur çdo veprim të mëtejmë apo retorikë nxitëse.
Sekretari i Jashtëm britanik po ashtu mirëpriti lirimin e tre policëve të Kosovës, që po mbaheshin në paraburgim në Serbi, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv përpara.
Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.
Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.
Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre, ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor./rel
Rekomandimi i “Travel and Tour World”: Vizitoni Shqipërinë g...
Më shumë diell, më pak shi – Parashikimi i motit për p...
Tahiri: Çmimet në Kosovë çdo ditë më shtrenjtë, vetëm pagat ...
Vdes veterani i UÇK-së Shani Kurtaj
Në Zarë të Kroacisë shënohen Ditët e Kulturës dhe Rinisë Shq...
Sulm në aeroportin Heathrow në Londër, arrestohet një person...