Britania e Norvegjia porosi Kosovës: Themelojeni Specialen, mos na dëshpëroni

21:29 | 21 Korrik 2015
M. A.

“Kosova duhet ta mbajë fjalën dhe ta krijojë Gjykatën Speciale”.

Ky ka qenë mesazhi i qartë, të cilin mysafirja nga Britania e Madhe, që është ministre e Punëve të Jashtme dhe përfaqësuese speciale e kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, Joyce Anelay, ua përçoi krerëve institucionalë të Kosovës, raporton KTV.

Baronesha Anelay vetë e ka mbajtur fjalën. Ka thënë se me çdo udhëheqës kosovarë që do të takohet do t’ia kumtojë vetëm një mesazh, krijimin e Speciales.

Ndërsa presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se çdo shtyrje për themelimin e gjykatës nuk do t’i kontribuojë proceseve zhvillimore të shtetit.

Edhe kryeministri Mustafa i tha asaj se janë duke biseduar me deputetët në mënyrë që herën tjetër votimi të mos dështojë.

Por, baronesha Anelay nuk pati vetëm kritika. Ajo gjatë qëndrimit në Kosovë ka shpallur mbështetjen e re të Mbretërisë së Bashkuar prej 80.000 funtesh për Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës dhe partnerët e tyre, transmeton Koha.net.

Këto fonde, sipas një njoftimi të Ambasadës britanike, do të mbështesin punën të cilën kjo Qendër po bën.

Ndërkaq, po sot gjatë ditës, themelimin e Gjykatës Speciale e ka kërkuar edhe Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë dhe Shqipëri, Jan Braathu.

Sipas tij, themelimi i Gjykatës është një realitet i pashmangshëm. Ai ka theksuar se Gjykata nuk është kundër UÇK-së e as Gjykatë etnike.

“Mosvotimi i Gjykatës ishte për të ardhur keq, sepse e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Kosovës. Kjo Gjykatë do të trajtojë aludimet për krime, të bëra nga individët. Kështu duhet ta shohim këtë gjë. Më dëshpëron fakti që disa në Kosovë nuk e kanë kuptuar këtë fakt. E gjithë kjo ka të bëjë me drejtësinë, t’u japësh drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre. Drejtësia nuk ka të bëjë me etninë, por ka të bëjë me veprimet. Në fund të fundit, pavarësia e Kosovës është projekt yni gjithashtu. Ne duam që Kosova të bëhet një komb i suksesshëm dhe kjo është rruga. Ne jemi miqtë e Kosovës, jo armiqtë e saj”, ka thënë ambasadori Braathau, raporton KTV.

Shpërndaje në rrjete sociale