Borrelli: Kosova të zgjasë afatin për targat, ta themelojë Asociacionin e serbët të kthehen në institucione

23:08 | 5 Nëntor 2022
E.H

Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.

Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale.

Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale.

Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë.

Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM.

Çështja e targave mund të zgjidhet nga palët në kuadër të Dialogut.

BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet.

Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës.

Është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin.

Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar.

Në koordinim të ngushtë me NATO/KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) është i gatshëm të sigurojë stabilitet në terren në Kosovë në rolin e tij si reagues i dytë i sigurisë.

EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë të mbështesin për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur në përputhje me mandatet e tyre përkatëse.

BE-ja u kërkon palëve të zgjedhin me zell rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim.

BE-ja është e gatshme të vazhdojë të lehtësojë negociatat, por të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në Dialog, thuhet në deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë për Poltikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale