Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) aktualisht është jofunksional, pasi shumicës së anëtarëve iu ka skaduar mandati. Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar ende përbërjen e re të KQZ-së.
Nga Zyra e Presidentit thanë për Ekonomia Online se vonesa ka ndodhur pasi nuk i kanë pranuar ende të gjitha propozimet për anëtarë të këtij institucioni, nga subjektet politike, sikur e parasheh ligji.
Ekonomia Online merr vesh se problematik është bërë emri i Florian Dushit i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Derisa LDK-ja po insiston që Dushi të dekretohet, Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare (DÇJMN), i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentit, ka vlerësuar se ai tashmë i ka konsumuar tri mandate dhe nuk duhet të dekretohet edhe për një mandat.
“Florian Dushi i ka tri mandate nëse llogariten vitet sa ka qenë në KQZ. LDK-ja po thotë se i ka vetëm dy, sepse njërin mandat nuk e ka dekretuar presidenti, për shkak se ka qenë koha e tranzicionit të presidentëve Pacolli-Krasniqi. Por, Zyra Ligjore e ka interpretuar që ai e ka luajtur atë rol në mënyrë aktive dmth i ka tri mandate”, ka shpjeguar një burim i mirinformuar.
“Presidenti nuk mund të nënshkruajë diçka që mund të jete antiligjore, sepse ligji e saktëson që një anëtar nuk mund të zgjidhet më shumë se tri mandate”.
DÇJMN ka kërkuar emër të ri nga LDK-ja, por kjo parti ka kthyer sqarimet e saj, duke insistuar në argumentin se Dushi është mandatuar vetëm dy herë.
Dërgimin e sqarimeve e ka konfirmuar dhe vetë Dushi. “Kanë kërkuar sqarim dhe ne e kemi dërguar sqarimin. Por pas asaj nuk kemi ndonjë përgjigje”, tha Dushi, për Ekonomia Online.
“Pa pranuar zyrtarisht diçka nga Presidenca, unë e as LDK nuk deklarohemi. Sepse zyrtarisht dhe me shkrim nuk kemi asgjë”, shtoi ai.
Dushi saktësoi se ka qenë anëtar i KQZ-së nga viti 2007, kur ishte emëruar nga atëherë Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë deri më 2016, kur kishte dhënë dorëheqje për të marrë një pozitë zëvendësministri në Qeverinë e Isa Mustafës. Pra, ai ka shërbyer nëntë vjet në këtë institucion.
Emri tjetër i propozuar nga LDK-ja është Sami Hamiti; kurse Lëvizja Vetëvendosje krahas Adnan Rrustemit, i cili e ka përfaqësuar deri më tani, ka dërguar dhe një propozim – Nazlie Balën.
Por, paqartësi ka për ndarjen e “hises” në KQZ nga koalicioni PAN (PDK, AAK, Nisma), ka treguar burimi i afërt me zhvillimet.
Meqenëse kanë garuar si një subjekt në zgjedhjet e fundit, PAN-it i takojnë vetëm dy përfaqësues. PDK-në pritet ta përfaqësojë Ilir Gashi; ndërkaq Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – Binak Vishaj. Nisma e cila përfaqësohej nga Eshref Vishi pritet të mbetet pa përfaqësues në KQZ dhe kjo ka nxitur pakënaqësinë e Fatmir Limajt.
Gjithashtu, e interesuar për të pasur një përfaqësues në KQZ është dhe Partia Social Demokrate, e cila faktikisht ka 12 deputetë në Kuvend. Por, ata deputetë kanë kandiduar në zgjedhjet e fundit nën siglën e Vetëvendosjes.
“Është duke u menduar që çështja t’i dërgohet për sqarim Gjykatës Kushtetuese”.
“Zyra e Presidentit nuk i ka pranuar ende të gjitha propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga subjektet e përcaktuara me ligj”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Presidencës, rreth vonesës së kompletimit të KQZ-së me anëtarë të rinj.
“Propozimet që i kemi pranuar janë në fazën e kompletimit me dokumentacionin shtesë të nevojshëm, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, kurse në ditët e ardhshme do të merren edhe vendimet lidhur me këto propozime”, deklaroi Zyra e Presidentit.
Muajin e kaluar, presidenti Hashim Thaçi e emëroi Valdete Dakën edhe për një mandat në krye të KQZ-së. Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, më herët gjatë këtij muaji, kryetarja Daka e ka quajtur “të çuditshme” pozitën në të cilën gjendet ky institucion aktualisht me shumicën dërmuese të anëtarëve me mandat të skaduar.
“Nuk na ka ndodhur asnjëherë mos me pasë KQZ funksionale”, u shpreh Daka.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë. Kryesuesin e emëron presidenti i Republikës, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me juridiksion apeli.
Kurse, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë./EO/
A do të largohet Guardiola nga City? Kjo është përgjigja e s...
Bahamas njeh Kosovën, Osmani nënshkruan marrëveshjen diploma...
Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, kërkon nga Them...
Treni godet një automjet afër Drenasit, dy të lënduar
Polonia dhe Ukraina tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë...
KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues, prej tyre 15 organizata