Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pritën në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, Burkhard Balz dhe ekipin e tij.
Gjatë takimit, Balz përgëzoi institucionet e Republikës së Kosovës për përparimin e qëndrueshëm në sektorin makroekonomik dhe financiar. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi për arritjet si dhe vlerësimet pozitive të ardhura për Kosovën edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Më tej u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet Bundesbank dhe Bankës Qendrore të Kosovës, përfshirë mbështetjen që kjo bankë gjermane ka dhënë në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së. Gjithashtu, u bisedua rreth mbështetjes së mëtejme për proceset e anëtarësimit të BQK-së në institucionet ndërkombëtare financiare, si dhe për zhvillimet e fundit në fushën e projekteve digjitale dhe inovacionit financiar.
Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të përkrahur Bankën Qendrore të Kosovës edhe në shërbim të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si Bundesbank. Gjatë këtij takimi z. Balz u informua edhe mbi punën intensive që institucionet tona kanë zhvilluar rreth anëtarësimit në SEPA, në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi sikurse vendet e tjera të rajonit, por e cila aktualisht ka ngecur si shkak i dërgimit të disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
Sot mblidhen dy komisione parlamentare në Kuvendin e Kosovës
Kryeministri Netanyahu: Jemi në gjysmë të rrugës, Irani do t...
Fluks i madh për ndeshjen Kosovë–Turqi: Komuna shton autobus...
Kosova përballë historisë: Sonte kërkon biletën për Botërori...
Mot i paqëndrueshëm të martën, priten reshje në shumicën e v...
Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët amerikanë që sulmo...