Berisha: Rreth 50 pjesëtarë serbë duan të largohen nga FSK-ja

12:11 | 7 Korrik 2018
M. A.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me kërkesat e ditëve të fundit nga disa pjesëtarë të komunitetit serb për largim nga FSK-ja.

Komunikata e plotë:

Forca e Sigurisë së Kosovës, ditëve të fundit është duke u përballur me dukurinë e kërkesave për largim nga FSK-ja të disa pjesëtarëve të komunitetit jo shumicë serb.

Sipas vlerësimeve të MFSK, këto kërkesa për largim vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimshme që i janë bërë FSK-së, përkatësisht pjesëtarëve të komunitetit serb dhe janë tentim për të dëmtuar arritjet dhe zhvillimin e FSK-së si dhe imazhin e saj si institucioni më i besueshëm në vend për vite me radhë.

Ne ndjejmë keqardhje për pjestarët tanë të cilët nuk janë lejuar të vendosin lirshëm për vazhdimin e karrierës profesionale, të ardhmes së tyre, duke ndikuar negativisht direkt në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.

Pjesëtarët e FSK-së nga komuniteti serb kanë qenë shumë mirë të integruar në nivel të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, prandaj shantazhet dhe kërcënimet e bëra janë të papranueshme, janë shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

Diversiteti etnik dhe profesionalizmi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vlerë që është e njohur dhe e pranueshme nga miqtë tanë ndërkombëtar dhe shtetet anëtare të NATO-s, dhe kjo vlerë është duke ju penguar atyre që nuk ja dojnë të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë.

FSK, do të vazhdojë në përmbushje të misionit dhe zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve operacionale si dhe angazhimin për pëfundimin e tranzicionit në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), si forcë moderne mbrojtëse për Kosovën dhe popullin e saj pa asnjë dallim.

Rruga e Kosovës dhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk do të ndalet. FSK-ja ka qenë, është dhe do të jetë e hapur për të gjitha komunitet që jetojnë në Kosovë dhe gjithëher do të jetë në shërbim të qytetarëve të saj.

Shpërndaje në rrjete sociale