Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet evropiane presin që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
I pyetur nga gazetarët të komentojë deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë për BBC-në se nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Stano tha se “në parim, nuk i komenton deklaratat e palëve të treta”.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë për marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ne duhet ta respektojmë marrëveshjen dhe të bëjmë çmos për të siguruar zbatimin e atyre marrëveshjeve”, tha Stano, transmeton REL.
Në një intervistë për BBC-në, Kurti ka thënë se me krijimin e Asociacionit, do të krijohej “diçka e ngjashme me Republikën Sërpska në Kosovë”, andaj nuk do të lejojë që “në Kosovë të përsëritet Bosnja”.
Republika Serbe, e banuar me shumicë serbe, është njëri nga dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën. Entiteti tjetër është Federata Myslimane-Kroate.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.
Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Pala serbe këmbëngul që Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin.
BE-ja, në disa rase, ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjes.
Kurti, edhe më herët, ka thënë se në Kosovë “nuk mund të ketë asociacion një-etnik”.
Kreshnik Ahmeti emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtm...
Sekuestrohet kokainë në një lokal në Kukës, arrestohet prona...
Milani merr vendim rreth të ardhmes së Luka Modricit
Sekuestrohen mbi 25 kg ari në Pejë, evidentohen shkelje të s...
Maqedonci diskuton bashkëpunimin ushtarak me Kroacinë dhe Sh...
BE mirëpret ratifikimin e Planit të Rritjes: 882 milionë eur...