BE-ja ia disburson Kosovës mbështetjen e fundit në kuadër të IPA 2016 me vlerë 6.87 milionë euro

19:52 | 28 Gusht 2025
E.H

Bashkimi Europian ka disbursuar dy pagesat e fundit në kuadër të Kontratës së Reformës Sektoriale IPA 2016 për Reformën e Administratës Publike me një vlerë prej 6.87 milionë eurosh.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

Buxheti i përgjithshëm për këtë kontratë ka qenë 22 milionë euro.

Zyra e BE-së ka bërë të ditur se kjo mbështetje nga BE-ja autoriteteve qendrore të Kosovës u ndihmon që ta forcojnë planifikimin e politikave dhe atë legjislativ, ta avancojnë llogaridhënien, transparencën dhe efikasitetit në administratën publike, ta rrisin profesionalizmin dhe depolitizimin e shërbimit civil, ta përmirësojnë ofrimin e shërbimeve për popullin dhe bizneset e Kosovës.

“Ndonëse është bërë përparim, nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta përmirësuar kornizën ligjore dhe institucionale dhe për të ndërtuar kapacitete më të forta të autoriteteve qendrore. Zbatimi efektiv i këtyre reformave do t’u sjellë dobi të drejtpërdrejtë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, shkruan Zyra e BE-së.

Reforma në administratën publike është një nga pikat më të rëndësishme të asistencës së BE-së për Kosovën dhe bashkëpunimit me Qeverinë.

Kosova gjatë vitit 2020 kishte humbur miliona euro donacion nga BE-ja pasi nuk kishte arritur t’i përmbushte synimet e vendosura për reformën në administratën publike.

Ndërkohë që tani, Kosova për shkak të mungesës së Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të përfitojë as nga Pakoja e Rritjes së Bashkimit Europian.

Që Kosova të përfitojë milionat e parë nga BE-ja, që gjithsej deri në vitin 2027 janë 882 milionë, së pari duhet ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale