Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherit edhe kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 11 qershorit, se do të hidhet poshtë marrëveshja që përcakton kufirin me Malin e Zi dhe do të punohet me një komision tjetër rreth kësaj marrëveshjeje.
“Reformat e BE-së dhe ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit duhet të jenë prioritetet e menjëhershme të çdo qeverie të re,” është shprehur një zëdhënës i BE-së për arbresh.info.
Sipas këtij zëdhënësi, zgjedhjet e parakohshme zhvillohen në një kohë kritike për Kosovën dhe reformat e saj lidhur me BE-në, prandaj i bënë thirrje të gjithë liderëve politikë që të sigurojnë që zgjedhjet e parakohshme dhe fushatat zgjedhore të zhvillohen në përputhje me standardet demokratike.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe institucioneve të Kosovës që të mos i harrojnë sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova. Është thelbësore që puna e rëndësishme që ndërlidhet ndër të tjera me promovimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik, dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe liberalizimit të vizave vazhdon në dobi të popullit të Kosovës.”
Ky zëdhënës shtoi se Komisioni Evropian i njeh përpjekjet që Kosova ka bërë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, shkruan arbresh.info.
“Siç është paraparë në propozimin legjislativ të Komisionit të majit 2016, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është kërkesë për liberalizimin e vizave. Është shumë e rëndësishme që ky proces të përfundohet në mënyrë që Komisioni të japë dritën e gjelbër për bashkë-ligjvënësit,” thekson ky zëdhënës i BE.
Në ambasadën Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë, janë rezervuar të komentojnë deklaratat e Haradinajt rreth refuzimit të Marrëveshjes që përcakton kufirin me Malin e Zi.
“Ne nuk komentojmë lidhur me cilindo kandidat apo parti politike gjersa zhvillohen fushatat zgjedhore,” është shprehur për arbresh.info zëdhënësja e ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, J. Michelle Schohn.
Procesi i vizave me BE-në ka filluar tetë vjet më parë, për të bërë rekomandimin, Komisioni Evropian krahas demarkacionit ka kërkuar të përmbushet edhe kushti për shënjestrimin e rasteve të krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Derisa Kosova vazhdon të mbajë pezull marrëveshjen e nënshkruar kohë më parë me Malin e Zi, ky shtet tashmë ka mbyllur të gjitha obligimet institucionale.
Të hënën, Mali i Zi zyrtarisht është bërë anëtari i 29-të i NATO-s në një ceremoni, në Uashington.
Ky anëtarësim u bë në periudhën kur aleanca veri-atlantike, që ishte formuar për ta kundërshtuar agresionin sovjetik, angazhohet për ndaljen e përpjekjeve të Rusisë për ta shtuar ndikimin e vet në pjesën lindore të Evropës./arbresh.info/
Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit
Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërnda...