10:55 |
23 Dhjetor 2025
E.K
Banorët e rrugës “Brigada 153” në Hajvali po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike në një fazë të rrjetit, gjendje që po u shkakton vështirësi në jetën e përditshme dhe për bizneset lokale.
Qytetarët e Hajvalisë tash e disa vite po pëballen me këtë problem.
Sipas banorëve, KEDS nuk po rrit kapacitetet, çka po sjell keqtrajtim të qytetarëve dhe dëme ndaj tyre.
Disa prej tyre shprehen të gatshëm të ndërmarrin edhe padi.
Në një përgjigje për Arbresh.info, KEDS ka sqaruar se problemi nuk është mungesë totale e energjisë, por vetëm në një fazë të rrjetit.
Sipas tyre, ekipet e kompanisë kanë ndërhyrë disa herë, por për shkak të ngarkesës, ndërprerësi i Tensionit të Ulët ka reaguar dhe ka shkaktuar ndërprerjen.
KEDS njofton se ekipet po punojnë intensivisht për rregullimin e defektit dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Për problemin të cilin e keni parashtruar KEDS njofton se ka vetëm mungesë faze dhe nuk ka të bëjë me mungesën e energjisë elektrike në total.Ekipet e KEDS kanë intervenuar disa herë për këtë problem, por për shkak të ngarkesës, ndërprerësi i Tensionit të Ulët ka reaguar.Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë me intensitet të lartë për rregullimin e kësaj prishjeje, për të siguruar energji elektrike në mënyre stabile për të gjithë konsumatorët”, thuhet në përgjigjen e tyre për Arbresh.info
“Patjetër, që në vijim do të njoftoheni për rregullimin e këtij problemi, deri atëherë u bëjmë thirrje konsumatorëve ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë racionale, për të iu shmangur kufizimeve për shkak të mbingarkesave”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, përveç shqetësimeve të qytetarëve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka shprehur shqetësimin e saj për reduktimet e ashpra të energjisë elektrike që po aplikohen thuajse në të gjithë vendin. Sipas DhTIK-së, kjo situatë po shkakton rritje të kostove operative, humbje në prodhim dhe po rrezikon funksionimin e bizneseve./Arbresh.info