Ballkani i Hapur, Rama: Nga janari i vitit të ardhshëm fillojnë lehtësirat e lëvizjes në kufi

12:25 | 4 Nëntor 2021
Përparim Bublaku

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nga janari i vitit 2022 do të ketë lehtësim të procedurave për kalimin e kamionëve tregtarë në pikat kufitare të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Rama këto i bëri të ditur në një konferencë për media nga Beogradi ku mbahet takimi i radhës i Ballkanit të Hapur

“Më vjen shumë mirë që jemi fokusuar aty ku është edhe thelbi. Thelbi i kësaj nisme është si të zgjerojmë ekonomitë tona, si të zgjerojmë tregjet tona që mbeten tregje të vogla në vetëvete dhe kthehen në një treg të rëndësishëm për aktorët tanë të tregut por edhe për investimet e huaja direkte në këtë zonë.
Kjo ka një kufi që lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut. Dhe që të përfitojmë më shumë investime të huaja direkte që sjellin shumë më tepër punësim cilësor dhe vlerë të shtuar duhet të ofrojmë një hapësirë më të gjerë. Sot na u dha mundësia të ballafaqohemi direkt me sipërmarësit nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe me problemet e tyre reale. Të gjithë njëzëri në mbështetje të Ballkanit të Hapur ata kërkuan që ç’ka ne nëshkruajmë të përkthehet në një realitet të prekshëm për ta në kufi, aty ku fillojnë problemet. Nuk mundet që të premten në darkë të arrish në kufi dhe të presësh të hënën për të çuar në anën tjetër qumështin se i bie që bëhet kos deri të hënën. Apo 3 javë për të pritur konfirmim nga agjencia e vendit tjetër për produktet që ti sjell nga një vend tjetër. Kemi rënë dakord për një qëndrim të përbashkët adresuar BE duke e kuptuar situatën fare mirë në BE me bllokimin absurd që i është bërë procesit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë por duke nënvizuar që ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar në vendet tona dhe kemi bindjen se BE mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit duke integruar në rrjetin e universiteteve europiane universitetet tona, në segmente të caktuara vendet tona duke e konsideruar njëkohësisht Ballkanin si pjesë të vetën kur vjen fjala për të përballuar krizën e energjisë.
Gjatë 8 muajve të fundit fluksi i turistëve në Shqipëri nga Serbia është rritur 63%, nga Maqedonia është rritur 22%. Janë shifra që janë rezultat i drejtpërdrejt në ekonomi. Në Dhjetor në Tiranë jemi angazhuar që të japim rezultate konkrete dhe nga Janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, fermerët, distributorët”, deklaroi Kryeministri Rama.

Shpërndaje në rrjete sociale