Avokati i Thaçit vë në pikëpyetje drejtësinë e Speciales pas vendimit të fundit të Apelit

17:12 | 1 Korrik 2026
E H

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Luka Mišetić, ka bërë të ditur se Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara ka miratuar edhe një apel tjetër të Prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit për mosrespektim të gjykatës.

Sipas Mišetiq, deri më tani të gjitha apelet e Prokurorisë janë pranuar, ndërsa të gjitha apelet e mbrojtjes janë refuzuar nga Paneli i Apelit në proceset që lidhen me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Në një reagim në rrjetin social X, ai tha se bilanci aktual në dy çështjet që janë ende në shqyrtim është: tre apele të Prokurorisë të pranuara nga tre gjithsej, ndërsa 44 apele të mbrojtjes janë refuzuar.

“Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit për mosrespektim të gjykatës sapo miratoi edhe një apel tjetër të Prokurorisë. Bilanci aktual në dy çështjet e tij që janë ende në shqyrtim: Apele të Prokurorisë: 3 nga 3 të miratuara (100% sukses); Apele të Mbrojtjes: 44 nga 44 të refuzuara (100% dështim)”, ka shkruar Misetiq.

Avokati i Thaçit ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se pas përfundimit të mandatit të saj, gjykata do të jetë subjekt i një vlerësimi të domosdoshëm lidhur me standardet e drejtësisë.