Avokati i Popullit: Sfidën më të madhe e kemi mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit

13:32 | 1 Tetor 2025
E.K

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka treguar se sfida më e madhe me të cilën është përballur ky institucion është mungesa e vullnetit politik për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Sfidën më të madhe e kemi mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera”, ka thënë Qelaj.

Ai gjithashtu foli edhe për punën e këtij institucioni, duke theksuar se është bërë përpjekje që Avokati i Popullit të jetë një ndër institucionet më të konsoliduara sipas standardeve të BE-së.

“Një reflektim dhe një rekapitullim e krejt punës që ky institucion ka bërë me qëllim që të paraqesim para partnerëve ndërkombëtare. Nuk ka qenë e lehtë që sot me qenë institucioni i konsilidum bazuar në standardet më të avancuar të BE-së dhe një rol kyç në shtet ndërtim të Kosovës sa i përket respektimit të drejtave themelore të njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit ka pritur në zyrën e tij mbi 52 mijë qytetarë, ky është një tregues i jashtëzakonshëm sa i hapur ka qenë institucioni për të qenë afër shqetësimeve dhe probleme që kanë qytetarët e të gjithë etnive dhe komuniteteve. Janë 2 mijë e 300 rekomandime që janë dhënë autoriteteve publike që lidhen me avancimin respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Janë mbi 90 agjenci ndërkombëtare që e kanë mbështet Avokatin e Popullit”, është shprehur ai.