Avokati i Popullit: Kërkesa e AAK-së për rinumërimin e votave është legjitime

13:56 | 12 Mars 2021

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e konsideron si legjitime kërkesën e përfaqësuesit të AAK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që të ketë rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor” – pas rasteve të keqpërdorimeve.

Qelaj në një intervistë për EO tha se Kosova ka krijuar mekanizma të fuqishëm institucional, që beson se do të vendosin në mënyrë të drejtë për të gjitha kërkesat dhe ankesat që vijnë nga të gjitha partitë politike.

“Në fakt ajo çka është kërkesë edhe e Kushtetutës tonë por edhe e akteve ndërkombëtare në rastin e respektimin e të drejtave të njeriut është me u respektua vullneti dhe e drejta në votim, pastaj pjesa tjetër është teknike është pjesë që i takon institucioneve të mandatuara me ligj. Megjithatë, ne e kemi monitorua procesin e zgjedhjeve dhe kemi dalë me disa deklarata gjatë fushatës dhe përfundimit të zgjedhjeve”.

“Kanë qenë disa momente shqetësuese sidomos mos respektimi i masave anti-Covid, mirëpo nuk është përfillur deklarata e jonë. Në anën tjetër kemi marr shumë ankesa që lidhen me verifikimin e votuesve jashtë vendit, në fund kemi marr ankesa për procesin e numërimit të votimit por edhe të votimit, ankesat janë drejtuar nga partitë të komuniteteve jo shumicë, jo serbe, ata janë thirr për një manipulim të votave. Mirëpo në këtë fazë ku ndodhet sistemi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve votave nuk është mandat i joni si Avokat i Popullit as me ndërhy as interferua në asnjë farë mënyre”.

“Në anën tjetër sa i përket kërkesave sa i përket për rinumërim të tërësishëm të votave nuk mund ta kem një qëndrim tim tani, për arsye se prapë në kuadër të mandatit tim nuk mund të lëshohem në diskutim në këtë temë, megjithatë unë besoj që kemi arritur me krijua mekanizma të fuqishëm institucional me vendosë drejtë në lidhje për të gjitha ankesa. Krejt çka mund të them në fund që procesi zgjedhor ka qenë një test i kaluar me notën ma pozitive të mundshme, s edhe përkundër tensioneve që kanë mundur të krijohen për shkak të rivalitetit politik kemi arrit të kemi një proces demokratike”, tha ai.

“Kërkesa është legjitime por secili do të jetë vendimi unë nuk e di, kështu që mund të mbesë vetëm në suaza të kësaj deklarate. Kështu që çdo gjë që vjen me i heq dilemat në lidhje me respektimin e qytetarëve për të zgjedh është legjitime, mirëpo pastaj është vlerësim i autoriteteve që e kanë mandat me vendos për këto sesi kanë me vendos”, u shpreh Qelaj.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ibrahim Selmanaj, kërkoi rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.

Lëvizja Vetëvendosje u shpreh kundër kësaj kërkese, ndërsa PDK-ja u deklarua se është legjitime të kërkohet rinumërimi, duke marrë parasysh se janë arrestuar komisiononerë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve për manipulim të votave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara