Arrestohet person i kërkuar për vrasje në tentativë në Ferizaj

08:41 | 17 Janar 2026
Q L

Një person i dyshuar është arrestuar nga policia e Ferizajt pasi u kap me armë të ftohta dhe rezultoi i kërkuar me urdhër gjyqësor.

Policia ka bërë të ditur se rreth orës 01:50 të ditës së sotme, gjatë patrullimit në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive, patrulla policore iu përgjigj një informate për një mosmarrëveshje dhe vuri re një person që tentoi të largohej. Pas një ndjekjeje rreth dy kilometrash, i dyshuari, A.I., 27 vjeç, u ndalua dhe u arrestua.

“Gjatë kontrollit, te i dyshuari u gjetën një thikë me këllëf dhe një shufër metalike, të cilat janë sekuestruar. Verifikimi i dokumentacionit ka treguar se ai ishte i kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilën ishte dënuar me tre vite e gjashtë muaj burgim”, thuhet në njoftim.

I dyshuari është intervistuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe më pas është dërguar për të vuajtur dënimin e shqiptuar.

Shpërndaje në rrjete sociale