Arrestohet në Zvicër një 14-vjeçar nga Kosova

20:09 | 18 Korrik 2026
H.E

Një 14-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia zvicerane, si i dyshuar për vjedhje, raportojnë mediat atje.

Sipas njoftimit të Policisë Kantonale të Aargaut, pak pas orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës, një banor njoftoi policinë se kishte vërejtur një person të panjohur brenda një dhome të banesës së tij, dhe menjëherë u largua në drejtim të Altenburgut.

Menjëherë pas njoftimit, disa patrulla të Policisë Rajonale Wettingen-Limmattal dhe Policisë Kantonale të Aargaut u angazhuan në terren dhe nisën kërkimin për të dyshuarin.

Gjatë operacionit të kërkimit, një patrullë e Policisë Kantonale të Aargaut gjeti një person të fshehur në shkurre në rrugën Etzelstrasse. Ai u ndalua dhe iu nënshtrua kontrollit policor.

“Personi i ndaluar rezultoi të ishte një 14-vjeçar nga Kosova. Policia Kantonale e Aargaut e arrestoi përkohësisht nën dyshimin për përfshirje në këtë rast. Hetimet do të përcaktojnë nëse i mituri është përgjegjës për tentativën e vjedhjes me thyerje në banesë”, u tha në njoftimin e Policisë Kantonale të Aargaut.

Shpërndaje në rrjete sociale