Arrestohen mashtruesit e biletave të fluturimeve

18:49 | 22 Korrik 2015
M. A.

Atdhetarët nga Zvicra dhe Gjermania u plaçkiten nga agjencitë “mashtruese” me rreth gjysmë milioni euro.

Këtë e bëri të ditur sot, Policia e Kosovës, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Në këtë konferencë, policia tha se ka arrestuar pronarin e agjencionit “Alba Air” dhe se i njëjti është i ndalur për 48 orë paraburgim.

Major Shaip Havolli, shef i Hetimeve të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, tha gjatë konferencës se ata kanë dyshime të mëdha se këta mashtrues të Agjencive me bileta avioni kanë përfituar nga mashtrimi i bashkatdhetarëve me mbi 500,000 euro.

Ai tha se mashtrimet janë bërë kryesisht përmes të ashtuquajturës “Call-Center” – thirrje me mesazh, me ç’rast bashkatdhetarët i kanë joshur me çmime të lira për fluturime në Kosovë dhe kthimin përsëri në vendet e tyre, shkruan kallxo.com

“Mashtrimi është kryer nga disa agjenci udhëtimesh në Gjermani, Zvicër dhe në Kosovë, dhe për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime edhe në Gjermani dhe në Zvicër… dhe do të ketë arrestime të reja në lidhje me këto hetime”, tha ai.

Ai bëri të ditur se ky Call-Center, ka qenë në shërbim edhe të disa kompanive të tjera si “Dardania Airways”, e cila, sipas Havollit, po ashtu ka mashtruar bashkatdhetarët.

Me këtë rast, këto kompani mashtruese, fluturimet i kanë organizuar me numra të fluturimeve “Adria-Airways” dhe “German Wings”, duke shfrytëzuar kështu E-banking për pagesa, shpjegoi ai.

Gjithashtu, Policia e Kosovës tha se ata kanë zhvilluar aksione, edhe në komunën e Ferizajt, ku janë arrestuar 5 menaxher të lojërave të fatit të cilët e kanë shpërfill urdhrin e Policisë së Kosovës, e cila ditë më parë ka mbyllur 12 lokale të tilla.

Sipas Havollit, të pandehurit kanë tentuar të fillojnë përsëri këtë veprimtari në mënyrë të paligjshme.

“Pas kësaj date ato kanë qenë në mbikëqyrje policore dhe të Administratës Tatimore dhe Doganës, ku disa prej pronarëve kanë filluar që të heqin bllobmat dhe të fillojnë përsëri këtë veprimtari në mënyrë të kundërligjshme”, tha ai.

Të arrestuarit janë në ndalim policor.

Shpërndaje në rrjete sociale