AMI nuk komenton bisedën e agjentit me grupin e Kumanovës

19:10 | 9 Qershor 2015
M. A.

Agjencia maqedonase e Inteligjencës (AMI) edhe sot i injoroi pyetjet e ALSAT nëse të punësuar të saj kanë pasur kontakte me grupin e Kumanovës para ngjarjeve të 9 dhe 10 majit.

Refuzimi i tillë vazhdon përkundër audio-regjistrimit të publikuar një ditë më parë, në të cilin duket se bisedojnë njëri nga liderët e vrarë të grupit Mirsad Ndrecaj dhe një person për të cilin besohet të jetë punonjës i Agjencisë së Inteligjencës.

Nuk ka as përgjigje, nëse Agjencia ka filluar ndonjë procedurë për të përcaktuar nëse dikush në radhët e saj, ka pasur kontakte, qoftë pa dijeninë e eprorëve.

Siç është publikuar edhe mbrëmë, RTV Dukagjini nga Kosova shpaloste një bisedë të regjistruar telefonike ndërmjet Mirsad Ndrecajt dhe personit të prezantuar si agjent i Maqedonisë nga Agjencia.

Nga biseda, krijohet përshtypja se i pranishëm është edhe Beg Rizaj, i cili po ashtu mbeti i vrarë pas ngjarjeve në Kumanovë. Regjistrimi është bërë pas sulmit ndaj pikës kufitare në Gushincë, ku u vodhën armë.

Në vazhdim, personi që është prezantuar si i punësuar në Agjencinë e Inteligjencës bisedon për statusin në Facebook të Ndrecajt, në të cilin ai thotë se sulmin në Gushincë e kishin organizuar djemtë më të mirë të UÇK-së.

Gjatë bisedës Ndrecaj akuzon ish-shefin e DSK-së së Maqedonisë, Sasho Mijallkov për dekonspirim.

Në fund të bisedës, Ndrecaj i kërkon agjentit që të vijë në Prishtinë, por pasi e mbyllin telefonin, flasin me kërcënim se nëse vjen do i qërojnë hesapet me të.

 

Shpërndaje në rrjete sociale