Neil Holland, ambasador i Britanisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e ka vlerësuar si kërkesë urgjente formimin e Qeverisë së Kosovës. Ai ka thënë se Britania e Madhe po ashtu është e shqetësuar për mbylljen në veri të objekteve e zyrave që funksiononin me sistem të Serbisë.
Në një njoftim në uebfaqen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për raportin e shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë për gjashtë muajt e fundit, Holland ka lavdëruar procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
“Ne vazhdojmë t’ua theksojmë përfaqësuesve kosovarë, urgjencën e formimit të qeverisë”, është cituar të ketë thënë ai.
“Mbretëria e Bashkuar ndan shqetësimet e theksuara në raport të misionit për nivelin e tensioneve në katër komunat veriore gjatë periudhës së raportimit. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga mënyra e pakoordinuar e mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime jetësore për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera joshumicë. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë që komunitetet joshumicë të mund të luajnë rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e shtetit dhe të mbështesë zotimet e Kosovës për shtet gjithëpërfshirës dhe shumetnik”, ka thënë tutje ai.
Po ashtu është përsëritur rëndësia për drejtësi dhe llogaridhënie për aktet e dhunës dhe është bërë thirrje që Serbia të bashkëpunojë për vënien përballë drejtësisë për përgjegjësit e sulmeve të 2023-s ndaj KFOR-it dhe në Banjskë dhe për hetime në sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Britania e Madhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen me konstruktivitet në dialog, ndërsa ka përsëritur po ashtu kërkesën që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Mospërmbushja e zotimeve, sipas Britanisë së Madhe, ka ndikime negative në jetën e përditshme te qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
Teksa është lavdëruar përparimi në luftën ndaj korrupsionit, Britania ka shprehur shqetësim për rënien në nivelin e lirisë së shtypit dhe ndikimin politik në media.
Në fund është përsëritur qëndrimi britanik si mbështetëse e fortë e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Edhe shtete të tjera të QUINT-it e kanë përmendur si urgjente nevojën për formim të Qeverisë së Kosovës, kur kanë kaluar gati 4 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve.
Legjislatura e re nuk është konstituuar për shkak të moszgjedhjes së kryeparlamentarit të ri. Teksa partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, dështoi të marrë shumicën me propozimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, në seancat e fundit procesi ka ngecur te moskalimi i propozimit të VV-së që votimi për kryeparlamentarin të jetë i fshehtë. Deri tash kanë dështuar 23 seanca, çdo dy ditë, nga 15 prilli.
Në javët e fundit, institucionet e Kosovës kanë mbyllur disa objekte që shfrytëzoheshin nga strukturat paralele serbe.
Shpërthen te Real Madridi, Arda Guler refuzon t’ia jap dorën...
Arrestohet një arsimtar në Mamushë, dyshohet për keqtrajtim ...
Grenell për zgjedhjet e reja në Kosovë: Zoti po na përgatit ...
Deputetja e LVV: Kur LDK ia mbylli dyert, ne e bëmë Osmanin ...
Vijojnë bombardimet mbi Iran, shpërthime të fuqishme në aero...
Edi Rama uron 7 Marsin me mesazh nga Manastiri: Sa e fortë ë...