Ambasada e Kosovës në Suedi njofton se Universiteti Publik në Suedi hap kurs për mësues të gjuhës shqipe

13:10 | 15 Mars 2023
Vjollca Gajraku

Universiteti Publik Uppsala në Suedi, ka hapur sot kërkesat për pranimin në kursin për mësues të shqipes si gjuhë amtare “Modersmålslärarutbildning: Albanska, 30 hp”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi Ambasada e Kosovës në Suedi, ku thuhet se kjo ka ardhur falë bashkëpunimit midis Fakultetit të Mësuesisë dhe Departamentit të Gjuhëve moderne të këtij universiteti.

Tutje në njoftim thuhet se kursi është i menduar si për ata që duan të bëhen mësues, ashtu edhe për ata që janë mësues, por duan të plotësojnë kushtet për punësim ose duan të përditësojnë njohuritë e veta.

“Kursi është i ndarë në gjashtë nënkurse (në tri semestra, 33% ngarkesë), të cilat zhvillohen të gjitha online, në orar të mbrëmjes”, thuhet në njoftimin për media.

Në semestrin e parë (10 kredite) studiohet “Gramatika e shqipes për mësues të gjuhës amtare” dhe “Shkolla suedeze-çfarë duhet të dijë mësuesi i gjuhës amtare”.

Në semestrin e dytë (10 kredite) studiohet “Perspektiva krahasuese (suedishtja dhe shqipja) në mësimin e gjuhës amtare” dhe ”Histori/gjeografi/kulturë shqiptare për mësues të gjuhës amtare”.

Në semestrin e tretë (10 kredite) studiohet “Didaktika e lëndës për mësues të gjuhës amtare” dhe “Letërsia shqipe për mësues të gjuhës amtare”.

“Vini re se kushtet e pranimit në kurs, përveç shqipes si gjuhë amtare, janë të njëjta si për të gjitha kurset universitare suedeze (domethënë se kërkohet suedishtja dhe anglishtja)!”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Suedi./Arbresh.info