Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se Kosovës po i kushton ngërçi politik dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë ta bëjnë prioritet progresin dhe stabilitetin e vendit.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënes i Ambasadës tha se partitë parlamentare në Kosovë duhet të punojnë së bashku për t’i themeluar institucionet e reja në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po i kushton Kosovës me humbje të mundësive. Është koha që udhëheqësia të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.
Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane vjen një ditë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin, gati pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Deputetët u mblodhën të mërkurën për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.
Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.
Të mërkurën, edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada italiane në Prishtinë u bënë thirrje partive parlamentare t’i themelojnë institucionet e reja sa më parë.
Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.
PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.
LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.
Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.
E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.
Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./rel
Presidenca: Pretendimet për skemë apo plan të organizuar nga...
Hoxha: Bashkëpunim për avancimin e projektit evropian në Shq...
Policia ndëshkon shoferin në Prishtinë për shpejtësi, 400 eu...
FSK ndez flakadanin në kazermën “Adem Jashari” në përmbyllje...
Amerika fillon të përdorë bazat britanike për operacione kun...
Kurti: Arsimi në shqip ka qenë gjithmonë akt përkushtimi dhe...