Alarmon MABCO: Kompania me 2 % të aksioneve po i bllokon punimet, po rrezikohet i gjithë projekti i Aeroportit të Vlorës

22:41 | 9 Janar 2026
Q L

Kompania zvicerane MABCO Constructions, e cila zotëron 98 për qind të aksioneve të shoqërisë Vlora International Airport (VIA), ka denoncuar publikisht një situatë që, sipas saj, cenon rëndë sigurinë juridike dhe rrezikon seriozisht përfundimin e projektit.

Në një njoftim zyrtar drejtuar institucioneve shqiptare dhe opinionit publik, MABCO akuzon se aksioneri minoritar Valon Ademi i “2A Group”me vetëm 2 për qind të aksioneve ka arritur, përmes vendimeve kontradiktore gjyqësore dhe veprimeve të njëanshme administrative, të bllokojë vendimmarrjen e shumicës dërrmuese dhe të paralizojë ecurinë e punimeve në terren.

Sipas kompanisë zvicerane, ky është një precedent i rrezikshëm për çdo investitor të huaj në Shqipëri, pasi vullneti i një pakice minimale po përdoret për të asgjësuar të drejtat pronësore dhe vendimmarrëse të aksionerit mazhoritar. MABCO flet hapur për një “asimetrí juridike”, shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe mungesë transparence në procedurat gjyqësore, duke theksuar se disa vendime janë marrë pa njoftuar palën që përfaqëson 98 për qind të investimit.

Përtej betejës ligjore, kompania denoncon edhe një sabotazh operacional të projektit, që përfshin emërime të paligjshme, dezinformim të institucioneve shtetërore dhe bllokim të qëllimshëm të infrastrukturës kritike të aeroportit, si terminali, kulla e vrojtimit dhe lidhja energjetike.

Në këtë kontekst, MABCO i bën thirrje Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe institucioneve mbikëqyrëse shtetërore të ndërhyjnë urgjentisht, duke paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mbrojtur integritetin e investimit të saj zviceran në Shqipëri.

DEKLARATË PËR SHTYP NGA MABCO
MABCO denoncon pengmarrjen juridike të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Lugano/Tiranë , 09.01.2026

Kompania zvicerane MABCO, zotëruese e 98% të aksioneve të shoqërisë VIA (Vlora International Airport), ngre alarmin për një situatë të paprecedentë juridike dhe operacionale që po rrezikon seriozisht përfundimin e këtij investimi strategjik kombëtar.
Në një rast që sfidon çdo parim të sigurisë juridike dhe të drejtës tregtare, një aksioner i minorancësqë përfaqëson vetëm 2% të kapitalit, ka arritur të bllokojë vendimmarrjen e shumicës dërrmuese dhe të paralizojë ecurinë e punimeve.

Asimetria Juridike dhe Shkelja e Procesit të Rregullt

MABCO vëren me shqetësim një sërë vendimesh kontradiktore nga sistemi gjyqësor, të cilat duket
se po përdoren si mjet për bllokimin e investimit:
• Përmbysja e Hierarkisë Gjyqësore:Megjithëse Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin që pezullonte të drejtën e votës së MABCO-s, vetëm një ditë më pas, një tjetër vendim i Shkallës së Parë ka rikthyer të njëjtin kufizim mbi bazën e kërkesave identike të aksionerit 2%. Kjo praktikë krijon një rreth vicioz ligjor që injoron autoritetin e gjykatave më të larta.

• Mungesa e Transparencës: Një sërë seancash dhe vendimesh janë zhvilluar pa njoftuar dhe pa thirrur palën mazhoritare (MABCO), duke shkelur parimin elementar të kontradiktorialitetit dhe procesit të rregullt ligjor.
• Paradoksi i Vendimmarrjes: Është juridikisht e pajustifikueshme që vullneti i 2% të aksioneve të asgjësojë të drejtat pronësore të 98% të investimit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për çdo investitor të huaj në Shqipëri.

Sabotimi Operacional i Projektit
Përveç betejës juridike, MABCO denoncon veprimet e njëanshme të aksionerit të minorancës, z. Valon Ademi (përmes “2A Group”), të cilat synojnë paralizimin e punimeve në terren:

1. Emërime të Paligjshme: Emërimi i administratorit të ri është bërë në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim apo miratim nga asambleja e aksionerëve mazhoritarë.
2. Dezinformimi Institucional: Po përdoren raporte teknike të pasakta për të krijuar perceptimin e rremë të vonesave para autoriteteve mbikëqyrëse shtetërore.
3. Bllokimi i Infrastrukturës Kritike:Moskryerja e qëllimshme e detyrimeve nga kompania partnere po mban peng sisteme jetike si Terminalin, Kullën e Vrojtimit dhe lidhjen me rrjetin energjetik (OSHEE).

Thirrje për Ndërhyrje Urgjente
MABCO mbetet e angazhuar për të përfunduar këtë projekt me rëndësi jetike për Shqipërinë, por kërkon mbrojtjen e shtetit të së drejtës përballë kësaj tentative për “uzurpim” të investimit.

I drejtohemi publikisht:

• Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD): Të hetojë me përparësi procedurat gjyqësore të ndjekura, të cilat kanë shmangur njoftimin e palës mazhoritare dhe kanë injoruar vendimet e Gjykatës së Apelit.

• Institucioneve Shtetërore Mbikëqyrëse:Të monitorojnë me integritet sabotazhin operacional që po i bëhet projektit, për të shmangur vonesat artificiale në një portë të ardhshme hyrëse të turizmit shqiptar.

MABCO do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mbrojtur integritetin e investimit të saj zviceran në Shqipëri./Arbresh.info/