Alarm në trafik: 101 viktima nga aksidentet rrugore

20:26 | 21 Dhjetor 2025
E.H

Nga janari i këtij viti e deri në muajin nëntor, 101 persona kanë vdekur nga aksidentet në komunikacion. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, është shënuar numër më i madh i viktimave në aksidente, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Njohës të komunikacionit u bëjnë thirrje institucioneve që të marrin masa parandaluese, në mënyrë që të kemi ulje të numrit të aksidenteve në trafik.

Vetëm brenda periudhës janar–nëntor të këtij viti, 101 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Ky numër është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 92 viktima.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, duke u bazuar në këto shifra, u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa preventive për parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve në trafik.

“Sivjet kemi një numër shumë të madh të aksidenteve në komunikacionin rrugor. Me rritjen e numrit të aksidenteve, është rritur edhe numri i personave të vdekur, si dhe i lëndimeve të rënda trupore”, tha ai.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 42 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa janë shqiptuar 1.454 tiketa trafiku./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale