Aksioni në Prizren, 4 prokurorë dhe 200 zyrtarë policorë u angazhuan sot

19:20 | 23 Janar 2026
Q L

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë dalë me komunikatë pas aksionit të sotëm lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave, ku kanë bërë të ditur se 109 persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa në operacion kanë qenë të angazhuar katër prokurorë dhe rreth 200 zyrtarë policorë.

Sipas komunikatës, 109 persona janë ndaluar për 48 orë për veprat penale të falsifikimit të rezultateve të votimit, kanosjes dhe dhënies ose marrjes së ryshfetit lidhur me votimin. Të ndaluarit kryesisht kanë shërbyer si komisionerë në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren.

“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhet në njoftim.

Në aksion kanë qenë të përfshirë katër prokurorë nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe rreth 200 zyrtarë policorë, duke siguruar mbështetje për intervistimin dhe ndalimin e të dyshuarve.

Komunikata thekson se Prokuroria dhe Policia janë të përkushtuara në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, ndërsa procedurat ligjore për të ndaluarit do të vazhdojnë brenda afateve të parashikuara nga ligji.