Akreditohet programi edukativ i Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas

16:13 | 12 Gusht 2016
M. A.

Është akredituar programi edukativ që po ligjërohet në kuadër të Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas Bordit për Edukim të Vazhdueshëm Mjekësor (BEVM). Në një njoftim për media thuhet se ky akreditim është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm në mes të Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe licenson kështu programin trajnues për profesionistët shëndetësor në Kujdesin Primar Shëndetësor të cilët janë të angazhuar në Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas.

Me rastin e akreditimit, punëtorët shëndetësorë të kujdesit primar shëndetësor, të cilët njëkohësisht janë të përfshirë në mënyrë vullnetare në Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas do të vlerësohen me 15 pikë kredituese. Këto pikë u shërbejnë punëtorëve shëndetësorë të kujdesit primar për procesin e ri-licencimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas është program i inicuar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në vitin 2014 dhe ka për qëllim kryesor edukimin dhe këshillimin e grave shtatzëna dhe partnerëve të tyre për kujdesin para dhe pas lindjes, e që evidenca thotë që ndikon në lindje të foshnjave më të shëndosha. Në këto qendra, këshillat individuale dhe grupore ofrohen në një ambient shumëngjyrësh, privat dhe të rehatshëm. Pjesëmarrëset marrin edukimin esencial në ushqyeshmërinë gjatë shtatzënisë, fazat e shtatzënisë, përgatitjen fizike dhe psikike për lindje, kujdesin ndaj të porsalindurit dhe gji dhënia. Posterat, kukullat dhe videot e kompletojnë këtë ambient dhe e bëjnë të nxënit e informatave bazike më të kapshme. Në këto qendra po ashtu bëhen ushtrimet e nevojshme fizike për të menaxhuar frymëmarrjen, dhembjet dhe për të praktikuar informatën e marrur.

Shpërndaje në rrjete sociale